Kryeministri i Katarit shpreh mbështetjen e qeverisë së tij për projektin e gazifikatorit te Fierit. Ne vizitën e tij zyrtare në Katar, kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani, ku premtoi edhe investime te tjera nga vendi i tij në Shqipëri. Vendet tona, tha ai janë vende të vogla dhe mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha.

Kryeministri i Katarit: “Jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër”.

Kryeministri Berisha u shpreh se ishte një nder që takohej me Kryeministrin e Katarit, një vend me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera. Kryeministri Berisha e njohu kryeministrin e Katarit me ecurinë e reformave në vend si, vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Europë, vendosjen e sistemit të prokurimeve elektronike, taksat online, investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë duke përcaktuar 32 % të buxhetit të vitit të kaluar në këtë funksion. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet vendase e të huaja. Ai ftoi biznesmenët e Katarit, të investojnë në Shqipëri.

Sali Berisha:Unë do të jem i lumtur, të shoh kompanitë nga Katari të investojnë në vendin tim, për të zhvilluar potencialet e mëdha në fusha të ndryshme, si minerale, turizëm, pasuritë hidrike, në infrastrukturë, në fushën e ndërtimit, etj.”

Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët, nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri. 

Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të gazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani