Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas mbërritjes në selinë blu, ka mbajtur një fjalim për mbështetësit e tij që ishin mbledhur në pritje të tij.

Gjatë fjalës për mbështetësit e shumtë të mbledhur në selinë e PD, kryetari i Partisë Demokratike, u shpreh se veprimi tani është kryefjala e Sali Berishës.

Më tej, Berisha ka zbuluar dhe rekordin që ka thyer gjatë periudhës që ka qenë në arrest shtëpie: 330 fjalime.

Sali Berisha: Sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria! Këtë vit unë kam thyer rekord për numër fjalimesh. Plot 330 të tilla. Tani veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Por, ka ende disa mesazhe të rëndësishme, që sot dua te ju them shqiptarëve. Së pari dua të falënderoj çdo shqiptar. Dua të falënderoj familjen time, e cila mori një dozë të madhe të kësaj sakrifice. Të betejës sonë për shpëtimin e Shqipërisë.

Dua të falënderoj me mirënjohje të pakufishme ata qindra e mijëra gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar që me qëndresën e tyre të pamposhtur të përnatshme, me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e ngushtë të banesës time ne bulevard shprese për shqiptarët. Keni qenë frymëzimi im. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë! Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët, opozitarët që me mosbindjen e tyre civile, e bënë Shqipërinë në kushtet më te vështira te narkodiktatures me opozitën më të fuqishme që ajo ka pasur ndonjëherë.

Dua të falënderoj çdo shqiptar. Ata në Shqipëri. Ata në Kosovë. Dhe ata në diasporë. Sepse pa të gjithë ju, pa mbështetjen tuaj, pa qëndresën tuaj, kjo ditë, kjo fitore, nuk do ishte e mundur! Një mirënjohje të thellë kam për miqtë e mi dhe miqtë e Shqipërisë në rajon, në Europë, në SHBA dhe në botë për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në mbrojtje të Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe kauzës tonë të drejtë.

Gjithashtu sot falënderoj me mirënjohje CDI dhe EPP, udhëheqjen e këtyre organizatave dhe të partive anëtare për rezolutat e tyre historike në mbështetje të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare dhe denoncimin e narkodiktaturës në Shqipëri. Falënderoj gjykatësen, e cila nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës. Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar.

/tvklan.al