Analisti Arjan Curi mori në “skaner” lëvizjen e fundit të qeverisë Rama me rekrutimin e Besart Kadisë si zv/ministër i Ekonomisë dhe Financave. Curi tha se pas kësaj lëvizjeje fshihet të paktën 3 gjëra.
E para është ndarja e ekspertit të njohur të ekonomisë me PD-në. Kujtojmë që Kadia ka mbajtur disa pozicione në këtë parti, ndërsa sipas Curit e humbur nga kjo situatë del selia blu pasi i është larguar një aset i rëndësishëm.
Së dyti, sipas analistit, Rama do të përpiqet që të marrë sa më shumë individë nga e djathta. Së fundmi, sipas Curit, kryeministri nuk do të përpiqet që të bëjë më koalicion me parti të tjera, por me persona të caktuara të qendrës dhe të djathtës.
“Përfshihen minimalisht 3 gjëra sepse dimensioni ka realitet të shumëfishtë në rastin e Besartit. Së pari fshihet divorci i gjatë mes Besartit dhe PD-së që për mua e ka fajin më shumë PD-ja se Besarti se humbi një aset të rëndësishëm. Së dyti fshihet një realitet parazgjedhor. Unë e kam thënë shumë herë në emision që Rama do të mundohet të marrë sa më shumë vetë nga e djathta, pra me një ide të përçarjes së opozitës dhe së treti fshihet një opsion për bashkëqeverisje që Edi Rama nuk e ka më ndërmend me sigla, sesa me individë dhe protagonistë. Mund të mos bjerë dakord me një parti tjetër, por kjo nuk e pengon Ramën dhe protagonistë të caktuar të së djathtës apo qendrës, që të bashkëpunojnë me këtë dhe të gjitha këto janë legjitime”.
Por a i ka shkuar në mendje vetë Ramës për këtë lëvizje?
“Besoj që i ka shkuar vetë në mendje. Sigurisht që këshilltarë ka, por i ka shkuar vetë në mendje, ashtu siç ka bërë më parë. Për shembull, Majlinda Bregut i dha mundësi. Rama të rregullon, të sistemon”, përgjigjet Curi. /tvklan.al