Erisa Zykaj: “Asnjë shtet anëtari i Bashkimit Evropian nuk është kundër kandidaturës evropiane të Shqipërisë. Gjë që i jep të gjitha shanset Shqipërisë për të marrë një përgjigje pozitive për aplikimin e saj para fundit të vitit. E vetmja arsye për të cilën ministrat e jashtëm të BE-së nuk e kanë marrë këtë vendim sot, lidhet me një procedurë teknike. Gjermani duhet të kërkojë pëlqimin për kandidaturën e Shqipërisë parlamentit të saj Bundestagut. Meqë Bundestagu është mbledhur sot për herë të parë në seancë plenare, atëherë ministrat e jashtëm të BE-së duhet të presin Bundestagun për këtë pëlqim për të dhënë vendimin e tyre në javët e ardhshme”.

Kjo është konfirmuar nga takimi i radhës i ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg. Ministri i jashtëm suedez, Carl Bildt, shpjegon se shtyrja e dosjes së Shqipërisë është një çështje teknike.

Carl Bildt: “Vonesa e vetme është fakti që kemi një qeveri të re në Gjermani. Ende nuk është mbledhur parlamenti. Nga ana tjetër, kemi traktatin e Lisbonës, i cili nuk është ratifikuar akoma. Kemi disa procedura konsultimi në parlament, përfshi edhe vendin tim, por kohët e fundit nuk kemi zhvilluar proces elektoral. Bëhet fjalë vetëm për çështje teknike, dhe nuk ka asgjë politike”.

Nëse gjithçka shkon siç duhet çështja e aplikimit të Shqipërisë duhet të trajtohet në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së ku këshilli i ministrave të pritet t’i japë mandatin KE-së./tvklan.al