Bashkimi Evropian vlerëson se Shqipëria është tashmë në një pozicion të favorshëm për të lëvizur përpara në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria tani është një pozicion më të mirë, pas raportit për zgjedhjet të OSBE-ODHIR-it”, u shpreh ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, duke iu referuar studimit vëzhgues të zgjedhjeve të qershorit, i cili i dorëzua në zyrat e Brukselit një ditë më parë. Në raport theksohet qartë progresi i arritur krahasuar me zgjedhjet e viteve të kaluara. Një qëndrim të tillë e përforcoi edhe më tej komisioneri për zgjerim në bllokun 27-anëtarësh, Olli Rehn, i cili tha se tashmë Shqipëria ka një shans më të mirë në rrugën e saj drejt europës së bashkuar.
Aplikimi i Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat u paraqit më 28 prill. Tashmë që u publikua dhe raporti përfundimtar për zgjedhjet e qershorit pritet që BE të japë dhe një përgjigje lidhur me aplikimin e Tiranës zyrtare. Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, pritet që në muajin tetor BE të sigurojë një mandat për Komisionin Evropian i cili do të analizojë nëse Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për t’u bërë një vend kandidat i bllokut 27 anëtarësh./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj