Kompani të shumta në qytetin jugor të Indisë, Bengaluru, po ofrojnë një mori stimujsh duke filluar nga ushqimi e deri tek udhëtimet me taksi falas për njerëzit që të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të Indisë.
E vendosur në shtetin Karnataka, Bengaluru është shpesh e përfolur për pjesëmarrjen e ulët të votuesve gjatë zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, shërbimet e taksive dhe firmat e tjera kanë njoftuar nisma për të inkurajuar njerëzit që të votojnë. Në këto nisma madje përfshihen edhe kontrolle shëndetësore falas.
Në disa markete, klientët duhet të tregojnë gishtin e tyre me bojë si provë që kanë votuar që të përfitojnë produkte falas. Gjykata e Lartë e Shtetit lejoi një shoqatë hotelesh të jepte ushqim falas ose me çmime të zbritura për sa kohë që nuk shkel udhëzimet zgjedhore.
Parku i njohur argëtues Wonderla po u jep votuesve bileta me çmime të zbritura, ndërsa një pijetore në qytet, po u jep birrë falas 50 klientëve të parë që kanë votuar.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2019, zona elektorale e Bangalore Jugore e qytetit kishte regjistruar përqindjen më të ulët të votimit në shtetin Karnataka me 53.7%. Pjesëmarrja ishte gjithashtu e ulët në Bangalore Qendrore (54.3%) dhe Bangalore e Veriut (54.7%) krahasuar me pjesëmarrjen totale të shtetit në 68%.
Këto nisma vijnë në kuadër të fazës së dytë të zgjedhjeve 7-ditore ku do të përfshihet qyteti i Bengalurut të premten./tvklan.al