Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Me vendim të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, filloi operacioni për identifikimin dhe mbylljen e operatorëve kabllorë të pa licencuar. Aksioni u drejtua nga drejtoria e policisë tatimore në Tiranë. Operacioni ka nisur në qytetin e Lezhës, ku u bllokuan dy operator kabllor. Njëri nga subjektet e penalizuara ishte Lissus Cabel TV, si dhe tjetri i përkiste televizionit Lezha.
“Sipas rezultateve të kontrollit rezultoi që në qytetin e Lezhës kryejnë aktivitete dy subjekte të pa licencuar nga organi tatimor për kryerjen e aktivitetit të transmetimit kabllor. Nga ana e drejtorisë së policisë tatimore u morë masa e bllokimit të aktivitetit, deri në licencimin e këtyre subjekteve”.
Shkaku i bllokimit të këtyre subjekteve ishte fakti se operatorët kabllor janë pa leje dhe nuk e kanë regjistruar aktivitetin e tyre në organin tatimor. Njëri nga pronarët e këtij operatori u shpreh kështu:
“Mendoj që edhe ky bllokim që është bërë është i drejt për momentin, duhet të paguaj diçka në TVSH e Lezhës”.
Në përfundim të këtij operacioni, policia tatimore ka deklaruar, se aksioni do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, aty ku televizionet kabllore transmetojnë në mënyrë pirate programe të vjedhura, duke shkaktuar konkurrencë të pandershme me operatorët tokësor, si dhe duke dëmtuar dhe ekskluzivitetin e programeve të cilat janë blerë nga televizione të tjera në Shqipëri./tvklan.al