Lajme Arkiva 2003

Nëse qeveria nuk zgjidh problemin e furnizimit me energji elektrike, atëherë rruga e vetme mbeten protestat. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë Gëzim Kalaja ka kërcënuar qeverinë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar Sindikalist në rast se nuk merr masa për zgjidhjen e menjëhershme të krizës.

Gëzim Kalaja: Këshilli kombëtar, komuniteti ekzekutiv i tij, aktivi i gjerë sindikal i punonjësve të kryeqytetit gjykojnë se qeveria në kokëfortësinë e saj nuk jep shanse  dhe mundësi për kapërcimin e gjendjes ekzistuese ndaj ata janë përgatitur për fillimin e protestave mbarë popullore në të gjithë vendin. I bëhet thirrje të gjithë popullit që të ndërgjegjësohet thellë për gjendjen e rëndë që po përballon dhe të ngrihet njëzëri në këmbë dhe të hidhet në protesta në kërkimin e të drejtave të tij etnike dhe të mohuara. Ne i kërkojmë qeverisë dhe personalisht kryeministrit Nano që të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe konkrete për kapërcimin e krizës që po bëhet nga dita në ditë gjithnjë e më e rëndë duke goditur gjendjen ekonomike të shqiptarëve e duke e bërë më të vështirë jetesën e tyre.

Sipas bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë në disa rrethe kryesore në vend  mungesa e energjisë elektrike ka sjellë sosjen e durimit të qytetarëve dhe bizneseve duke goditur gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Bashkimi i sindikatave nëpërmjet një note proteste ka kërkuar nga ekzekutivi ndalimin e eksportimit të energjisë në mënyrë që të mos aksesohen bizneset në vend./tvklan.al