Hetuesit në Shtetet e Bashkuara nuk kanë ende një pistë të qartë për shkaqet e aksidentit tragjik ajror të natës së të mërkurës në Uashington, ku nga përplasja e një helikopteri ushtarak me një avion pasagjerësh humbën jetën 67 perona.
Ekipet e emergjencës nxorrën kutitë e zeza të avionit nga mbetjet e që ndodhen në lumin Potomak. Hetuesit thanë se ato përmbajnë informacione të rëndësishme, por një raport paraprak mbi bazën e të dhënave të tyre mund të publikohet për 30 ditë.
Janë hedhur dyshime se ka patur mungesë koordinimi të saktë nga kulla e kontrollit të aeroportit, pasi helikopteri ushtarak Black Hawk fluturonte në një lartësi mbi normën e lejuar në momentin e përplasjes. 24-orë para tragjedisë një rast i ngjashëm kishte rrezikuar një tjetër aksident ajror.
Ekspertët thanë për mediat amerikane se në regjistrimin zanor të publikuar, punonjësit e kullës së kontrollit u japin pilotëve të helikopterit shpjegime shumë të paqarta për rrugën që duhet të ndjekë.
Presidenti amerikan Donald Trump, në konferencën për shtyp të së enjtes ia hodhi fajin politikës së diversitetit dhe gjithëpërfshirjes të ndjekur nga administrata Biden, që sipas tij kishte punësuar njerëz pa eksperiencë në vende të tilla pune ku kriteret duhet të jenë të rrepta.
Tv Klan