Ligjvënësit amerikanë diskutuan të enjten lidhur me pasojat që do të ketë vendimi i Presidentit Donald Trump për ngrirjen 90-ditore të ndihmës amerikane për vendet e tjera tek konkurrenca me Kinën. Zoti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv disa orë pasi mori detyrën, për të pezulluar të gjithë ndihmat ndërkombëtare nga ana e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që administrata e re përcakton nëse ato përputhen me politikën “Amerika e para”.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Jim Risch tha se pezullimi ishte një hap i domosdoshëm për t’i dhënë përparësi përgjegjësisë fiskale, pasi SHBA përballet me një borxh prej 36 trilionë dollarësh.

“Është padyshim një proces,” tha të enjten Senatori republikan nga shteti Ajdëho, Risch. “Veprimi kishte për qëllim të vinte theksin tek fakti se çdo 100 ditë, borxhi shtohet me 1 trilion dollarë. Nëse mendoni se jemi tani në situatë të keqe, mendoni se ç’do të ndodhë kur ata që na kanë dhënë borxhin të vijnë të kërkojnë paratë e tyre dhe ne nuk mund t’i paguajmë. Do të jetë shumë më keq,” tha ai.

“Na ka bërë të gjithë të reflektojmë dhe të shikojnë se si po i shpenzojmë fondet, ku po i shpenzojmë dhe se si ta bëjmë një gjë të tillë në mënyrë sa më efikase. Duhet pranuar që vendimi ka shkaktuar disa shqetësime, por administrata do të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim,” shtoi Senatori Risch.

Demokratët thanë se pauza për ndihmat krijon një hendek që do të mbushet nga Republika Popullore e Kinës (PRC).

“Unë jam veçanërisht i shqetësuar për zgjerimin e ndikimit të Kinës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si rezultat i ngrirjes së ndihmës sonë për botën e jashtme dhe, në veçanti, efekti domino që mund të ketë ky vendim “, tha senatori demokrat nga shteti Delauer, Chris Coons në një seancë lidhur me ndikimin kinez në botë.

“Nuk ka asgjë që Kina do të donte më shumë sesa të kufizonte shtrirjen e ndikimit tonë global, duke shtuar ndikimin e saj,” shtoi demokrati Coons. “[Në këtë mënyrë] ne jemi një partner jo i besueshëm për vendet në të gjithë botën dhe veçanërisht për ato në zhvillim dhe shqetësimi im është se ne vëmë në rrezik sigurinë tonë, interesin tonë ekonomik dhe diplomatik me një pauzë të papritur, që ndalon veprimet për të luftuar aktivitetin keqdashës nga Kina, ndërsa ajo përparon në investimet e saj në infrastrukturë.”

Por Senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hampshër, demokratja më e lartë e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se demokratët nuk duhet të jenë të vetmit që shqetësohen për vlerësimin e ndihmës.

“Shpresoj që të gjithë ju të palës tjetër të ndani shqetësimet tuaja me administratën dhe të vini në dukje se kjo nuk është një çështje partiake”, tha ajo. “Ne duhet të sigurohemi që ndikimi ynë të vazhdojë në mbarë botën në interes të sigurisë sonë kombëtare.”

Në mbarë botën, programet e ndihmës së financuar nga Shtetet e Bashkuara kanë filluar tashmë të mbyllen. Shtetet e Bashkuara janë ofruesi më i madh i ndihmës për vendet e tjera, por në disa zona Kina shpenzon më shumë.

Sipas Zyrës për Qeverisje të Përgjegjshme, në periudhën 2013 – 2022, Kina shpenzoi 679 miliardë dollarë për projektet globale të infrastrukturës krahasuar me 76 miliardë dollarët e Shteteve të Bashkuara.

“Ndihma e huaj është një nga instrumentet vërtet të rëndësishme të sigurisë kombëtare të SHBA-së, krahas mjeteve të tjera si diplomacia, ndihma ushtarake e kështu me radhë”, u tha ligjvënësve të enjten Jennifer Lind, profesore në Universitetin Dartmouth.

“Dhe në një skenar ideal, ne do të dëshironim të përdornim të gjitha mjetet në dispozicion në një mënyrë të koordinuar për të arritur objektivat tona. Për këtë arsye, mendoj se është e kuptueshme nëse administrata vendos të bëjë një pauzë të shkurtër për të vlerësuar nëse kjo ndihmë po përdoret siç duhet.”

Por Melanie Hart e Këshillit të Atlantikut tha se ngrirja “po pengon aftësinë e Amerikës për të konkurruar me Kinën në çdo fushë”.

“Mbi 1 miliard dollarë më shumë financime ushtarake të huaja për Tajvanin janë ngrirë. NDI (Instituti Demokratik Kombëtar) dhe IRI (Instituti Republikan Ndërkombëtar) po mbyllin operacionet globale. Organizatat e të drejtave të njeriut me fonde të ngrira. Uashingtoni e ka braktisur efektivisht lëvizjen pro-demokracisë së Hong Kongut”, tha ajo.

Zonja Hart shtoi se ajo e kupton dëshirën e administratës për të rritur fokusin strategjik të ndihmës dhe vlerësoi faktin që Departamenti i Shtetit i zhbllokoi disa nga ndihmat, por tha se “kjo ngrirje e gjerë pengon Amerikën në një moment kur jemi në betejën e shekullit”.

“Është një dhuratë masive për Pekinin. Sa më gjatë të vazhdojë, aq më e vështirë do të jetë të rifitojmë terrenin që po humbasim sot, nesër dhe këtë javë,” tha zonja Hart.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio bëri disa përjashtime të premten e kaluar, duke zhbllokuar ndihmën urgjente ushqimore ndërsa në fillim të kësaj jave bëri një përjashtim tjetër për ndihmën humanitare.

Demokrati kryesor në Komisionin e Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Konkurrencën Strategjike me Kinën mirëpriti të enjten veprimet e zotit Rubio, por tha se duhet bërë më shumë.

“Rishikimi periodik i kontributit të programeve të ndihmës për vendet e huaja tek siguria kombëtare e SHBA-së është i nevojshëm, por ngrirja e papritur e çdo ndihme të huaj i lëshon terren kundërshtarit tonë kryesor: Partisë Komuniste Kineze”, tha përmes një deklarate ligjvënësi demkrat nga Ilinois, Raja Krishnamoorthi.

“Në një kohë kur Kina po investon në mënyrë agresive jashtë vendit, duke ndryshuar rrugët e zinxhirëve të furnizimit dhe duke blerë favore tek udhëheqësit autoritarë, Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë ndihmën për botën e huaj – jo të gjunjëzohen”./VOA