Çështjet e sigurisë, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Ballkanit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, diskutoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme po zhvillon një vizitë në Izrael ku pritet të ketë dhe takime të tjera të rëndësishme.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati po zhvillon një vizite në Izrael. Bushati u prit në takim nga kryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Izraelit Benjamin Netanyahu. Zhvillimet në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Ballkanit, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja kibernetike ishin temë diskutimi mes Bushatit dhe Netanyahut. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati e njohu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me zhvillimet në rajon dhe me rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti.

Ndërsa kryeministri Netanyahu vlerësoi qasjen e Shqipërisë ndaj sfidave të sigurisë në rajon dhe më tej, si dhe shprehu interesin e Izraelit për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë. Ministri Bushati dhe Kryeministri Netanyahu diskutuan gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok si inovacioni, ekonomia, arsimi, kultura.

/tvklan.al