“Lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ndihet e dekurajuar”.

Kështu u shpreh  ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij në Izrael, ku mori pjesë në Konferencën kundër Terrorizmit, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Luftës kundër Terrorizmit (ICT).

Gjatë vizitës së tij, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Ai u takua me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit Benjamin Netanyahu, Ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, Lideren e Opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit  Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.

Ministri Bushati në fjalën e tij në konferencë prezantoi angazhimin dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, duke vënë theksin në shpalosjen e nismave të reja që lidhen me rolin e edukimit, harmoninë fetare, respektimin e të drejtave të njeriut e minoriteteve, vlerave të tolerancës ndaj diversitetit, dhe në hartimin e zbatimin e politikave të posaçme strategjike, sociale, politike, ligjore, edukative dhe ekonomike.

Bushati tha se “

lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ndihet e dekurajuar. Ashtu si rrjetet terroriste janë transnacionale, kështu duhet të jetë edhe bashkëpunimi ynë”.

Ministri Bushati tha se duhet bërë gjithçka për të prishur lidhjen mes radikalizmit dhe terrorizmit.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të prishur lidhjen mes radikalizimit dhe terrorizmit duke adresuar çështjet e ndryshme dhe komplekse në mjedise ku ushqehen akte terroriste. Duhet të miratojmë një “përpjekje të të gjithë shoqërisë” duke u angazhuar me shoqërinë civile, komunitetin dhe udhëheqësit fetarë, dhe të rinjtë”

, u shpreh Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

/tvklan.al