Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka pritur sot zv.Sekretaren e NATO-s, Rose Gottemoeller. Vizita e saj vjen vetëm pak ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të aleancës në Bruksel.
Në një konferencë për mediat ministri tha se Shqipëria ka një projeksion pozitiv në aleancë.
“Sot kemi diskutuar në radhë të parë për angazhimet e Shqipërisë në këtë aleancë, kryesisht përsa i përket për projeksionin pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, bazuar mbi angazhimet e Samitit të Uellsit dhe sidomos mbi hartën e rrugës në kuptimin politik që u ra dakord në samitin e Qershorit. Shqipëria ka rritur shpenzimet në buxhetin për mbrojtjen, sikundër do të vijojë të japë kontributin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s.
Së dyti ishte një mundësi shumë e mirë për të këmbyer pikëpamjet rreth situatës së sigurisë në rajon. Dihet që për Shqipërinë dhe shqiptarët anëtarësimi në NATO është një nga arritjet më të mëdha për ne, pas shembjes së regjimit komunist dhe ne vlerësojmë këtë arritje edhe duke zbatuar angazhimet në praktike dhe nga ana tjetër duke u përpjekur për projektuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore”.
Bushati tha gjithashtu se vendi ynë ka marrë në shqyrtim të gjitha sfidat me të cilat përballet rajoni.
“E mirëpresim bashkëpunimin me sekretaren e përgjithshëm edhe për çështje të një natyre sensitive. Kemi marrë në shqyrtim të gjitha sfidat me të cilën përballet rajoni ynë”.
Kryediplomati shqiptar vlerësoi dhe rolin e KFOR në Kosovë.
“Vlerësimi ynë maksimal për rolin e KFOR në Kosovë, sepse është spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë dhe në këtë kontekst kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO –s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë të jetë e pacenueshme”. /tvklan.al