Punonjësve të administratës shqiptare u mbetet dhe pak ditë përpara se të vihet në jetë reforma e hartuar nga legjislativi shqiptar. Projektligji për statusin e nëpunësit civil do të zbresë të enjten e ardhshme në Parlament për t’i hapur rrugë testimit në konkurs të punonjësve të administratës civile nga komisionet që do të ngrihen në organet qëndrore dhe ato lokale.
Projektligji për statusin e nënpunësit civil synon që të përzgjidhen kandidatë me vlera të vërteta profesionale dhe të kenë siguri në punë pavarësisht të ndryshimeve politike në vend. Kandidatët që konkurojnë duhet të jenë mbi 30 vjeç dhe pas fitores në konkurse i nënshtrohen një viti provë në vendin e ri të punës.
Byroja parlamentare ka vendosur për të enjten raportimin vjetor para Parlamentit të Kryekontrollorit të Shtetit Mustafa Kërçuku. Të enjten do të realizohet gjithashtu debati për realizimin e projektit të buxhetit faktik të vitit 1999 dhe parashikimi për buxhetin e shtetit për vitin 2000 nga Kryeministri Majko, Kryefinancieri Angjeli dhe ministrat e tjerë.
Partia Demokratike në këtë mbledhje përfaqësohej nga Jozefina Topalli dhe Jemin Gjana. Në këtë mbledhje, demokratët kanë kërkuar 60 minuta kohë për të diskutuar në debatin e së enjtes në Parlament duke shkaktuar reagime në kryetarin e Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi i cili kërkoi për deputetët e tij dyfishin e kohës që do tu jepet demokratëve në seancën parlamentare të ditës së enjte./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame