Vizita e Sekretarit Britanik të Shtetit për Çështjet e Jashtme, ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron ishte një nga më të shkurtrat e zhvilluara nga ndonjë zyrtar i huaj në Tiranë.
Në vetëm 80 minuta qëndrim në tokën shqiptare ai u prit vetëm nga kryeministri Rama, ndërsa u anulua pa asnjë sqarim takimi me presidentin e Republikës. Arsyet përse e sollën në Tiranë tha se ishin për të shprehur personalisht vlerësimet për ecurinë që ka pasur Shqipëria.
“Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua që jam në Shqipëri sot dhe një nga arsyet se përse dëshiroja të vija dhe më vjen keq është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim suksesin tuaj, sepse Shqipëria është vërtet një histori suksesi nga aspekti ekonomik, sukses në NATO.”
Ajo që vlerësoi specifikisht ishte bashkëpunimi për emigracionin e paligjshëm.
“Ka qenë një partneritet vërtet i mrekullueshëm, shumë pozitiv, shumë i arrirë dhe shpresoj të jetë shembull edhe për të tjerët, sepse në të gjithë Europën problemi i migracionit të parregullt është një problem që hasen të gjithë dhe siç u kam thënë edhe ministrave të tjerë të jashtëm është një problem me të cilin duhet ta përballoni ju, përndryshe në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar ju keni treguar se jeni novator, jeni krijues dhe punoni për këto partneritetet kaq të forta dhe në saj të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera, ekonomia juaj është rritur, sektori i turizmit do të jetë shumë, shumë i suksesshëm edhe gjatë viteve në vijim dhe do të ketë shumë mundësi që njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri duke ndërtuar më tej ekonominë e vendit dhe duke e përmirësuar atë dhe për këtë do të keni ndihmën tonë.”
Cameron i zhveshur nga gjuha diplomatikE nuk i kurseu vlerësimet personale dhe për kryeministrin Rama.
“Ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamunduren dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit dhe për këtë unë dëshiroj t’ju falënderoj juve për lidershpin tuaj, jo vetëm sepse keni fituar më shumë zgjedhje se sa kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të Bashkimit Europian.”
Rama nga ana e tij rreshton disa nga projektet financiare, por dhe ato politike për të cilat qeveria Sunak ka marrë angazhim për të mbështetur në Shqipëri dhe në rajon.
“Kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës- Prishtinë, ky është një projekt që tejkalon thjesht dhe vetëm interesin e vetëm të dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën.”
Projektet politike lidhen me mbështetjen rajonale, kryesisht për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të paqëtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre procese dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë po ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa.”
Vetë Cameron ndihet i vlerësuar kur kryeministri shqiptar e cilëson si avokat të rajonit ballkanik.
“Në fakt për mua ky është një kompliment mjaft i madh. Në fakt unë kam një këndvështrim shumë të drejtë dhe të thjeshtë që kur Ballkani Perëndimor ia del mbarë, atëherë Europa ia del mbarë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme dhe në Europë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë në procesin e paqtimit, rritjes ekonomike, dhe të mirëkuptimit dhe për mua kjo është përparësi dhe ka qenë përparësi edhe kur kam qenë kryeministër dhe në këtë muaj unë do të vijoj në këtë punë.”
Kryeministri Rama pohon se kanë folur për vijimin e operacioneve të përbashkëta që synojnë dekurajimin e flukseve të këtij trafiku të paligjshëm të emigrantëve. Por as ai, as Cameron në deklaratën e përbashkët nuk u ndalën tek propozimi që kryeministri Sunak pak javë më parë i tha Ramës për një marrëveshje të ngjashme per kampe emigrantësh, si ajo me Italinë. Vetë Rama e përjashtoi kategorikisht i pyetur në Kotor, mundësinë e një marrëveshje të tillë me ndonjë shtet tjetër, përfshirë Mbreterinë e Bashkuar.
Kryeministri Edi Rama: Për shkak të axhendës shumë të ngjeshur, Lord Cameroon do të vijë një herë tjetër për t’ju përgjigjur pyetjeve.
Tv Klan