Gazetari Merin Maçi dha detaje sonte në studion e “Opinion” sa i takon rastit të efektivit Azbi Spahiu. Bazuar tek hetimet e deritanishme të policisë për ngjarjen dhe deklarimeve të vetë 57 vjeçarit, Maçi theksoi se ajo që ka ndodhur me të “nuk ka aspak lidhje me detyrën e tij”.

Bëhet fjalë për një incident që siç ka thënë efektivi është “shkaktuar prej gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore”.


Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur me efektivin, pse ka heshtur policia për këtë rast? Si e ka hetuar dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Në çfarë rrethanash ka ndodhur ngjarja dhe në cilën ditë tamam?

Merin Maçi: Më 15 Janar, Policia e Tiranës është njoftuar nga një qytetar se një person në momentet e para i paidentifikuar është gjetur i shtrirë në tokë, pa ndjenja në afërsi të rrugës “Kongresi i Manastirit”. Në afërsi të QSUNT. Menjëherë është bërë këqyrja e personit, ku janë konstatuar dëmtime në pjesën e pasme të kokës dhe gjymtyrëve. Është marrë dëshmia e personit që e ka konstatuar i pari dhe policia ka sjellë një njoftim paraprak. Është dyshuar se ky person që më pas është identifikuar si 57 vjeçari Azbi Spahiu, oficer i Policisë Gjyqësore, mund të ketë rënë nga lartësia.

Blendi Fevziu: Ç’do me thënë, se lartësia është nga 3 metra deri në 300 metra?

Merin Maçi: Të paktën kjo pjesë nuk është verifikuar nga ana e policisë deri më tani. Nuk ka një konkluzion përfundimtar, për sa kohë në vendin ku është gjetur personi nuk ka pasur kamera.

Blendi Fevziu: Ka dy versione që qarkullojnë, se është hedhur nga kati i 11-të ose kati i 7-të…

Merin Maçi: Ngjarja është referuar si aksidentale. Humbja e ndjenjave mund të ketë ardhur për arsye të ndryshme.

Blendi Fevziu: Po përderisa Policia thotë hedhje nga lartësia…

Merin Maçi: Kjo është thënë në njoftimin paraprak në bazë të deklarimeve që ka dhënë personi i parë që e ka konstatuar 57 vjeçarin. Është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës. Ka një dëmtim në pjesën e pasme të kokës dhe në një prej rruazave të shtyllës kurrizore, por që nuk përbën problem për vazhdimësinë e punës së tij.

Sipas gazetarit, efektivi ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Më tej shton se Spahiu “nuk kujton detaje se si ka humbur ndjenjat, por shprehet se kjo gjë nuk ka lidhje me detyrën e tij”.

Blendi Fevziu: A takuar zyrtarë të lartë të Policisë para se të ndodhte ngjarja?

Merin Maçi: Ka takuar ditët e fundit kolegët në komisariat. Një takim të tillë nuk e ka pohuar dhe sa i takon pretendimeve për presione, efektivi nuk e pohon një gjë të tillë. Ngjarja është trajtuar si aksidentale dhe nuk ka elementë që e çojnë në arsye apo shkaqe që mund të kenë shtyrë efektivin në akte të tjera.

Në mbyllje, Maçi thotë se “ai është një punonjës policie model dhe s’ka pasur asnjëherë vërejtje gjatë punës së tij”.  

Kujtojmë se lidhur me rastin, pati një reagim nga ana e familjes së efektivit të Dielën. Familja Spahiu kërkoi që “asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin e tyre”, duke theksuar “se kjo situatë është plotësisht personale”.

/tvklan.al