Sokol Cikalleshi nuk është më pjesë e Konyaspor në Turqi. Klubi ka njoftuar largimin e sulmuesit shqiptar, pas katër sezonesh si pjesë e tyre.

34-vjeçari del lojtar i lirë në merkato dhe tani është në kërkim të një skuadre të re, për të vazhduar karrierën e tij.

Konyaspor e ka falënderuar Cikalleshin për kontributin e dhënë, ndërsa i uron atij suksese në karrierë.

Sulmuesi nga Kavaja, u bashkua me Konyaspor në vitin 2020 dhe nga ajo kohë numëron 104 ndeshje të luajtura dhe 30 gola të shënuar. Cikalleshi u bë lojtari i huaj me më shumë gola në Superligën turke, për Konyaspor.

Në sezonin 2023-2024, futbollisti shqiptar, luajti i huazuar tek arabët e Al Khaleej, ku në 29 ndeshje, shënoi 10 gola.

Në ditët e ardhshme, Cikalleshi pritet të sqarojë të ardhmen dhe ku do të vazhdojë karrierën e tij si futbollist. Kujtojmë se sulmuesi pak ditë para nisjes së Europianit, njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare. /tvklan.al