Seancë e posaçme në Bundestag për shkak të sjelljes së dhunshme të disa vizitorëve të AfD-së.
Debati ishte thirrur me kërkesë të grupeve parlamentare CDU/CSU, dhe SPD por ai u shfrytëzua nga të gjitha partitë për të sulmuar partinë populiste të krahut të djathtë: Alternativa për Gjermaninë, AFD.
Të mërkurën, 18.11. disa aktivistë të djathtë kishin hyrë si vizitorë të AFD-së në Bundestag dhe kishin fyer e sharë politikanë të ndryshëm të partive të koalicionit. Ata ishin përpjekur të hynin me forcë në dhomat e disave syresh. Njëri prej të prekurve ishte edhe ministri i Ekonomisë, Peter Altmeier, CDU: Bundestagu atë ditë kishte miratuar ndryshimin e ligjit kundër infeksioneve. Më parë policia kishte shpërndarë me ujë një protestë kundër masave të qeverisë për parandalimin e pandemisë.
Shkelje tabuje
Si kurrë më parë, të gjitha partitë e tjera, nga CSU-ja konservatore e deri te E Majta, të gjitha folësit ishin të një mendimi: Sulmi i së mërkurës në Bundestag ishte i orkestruar dhe i toleruar me vetëdije nga AFD. Michael Grosse-Brömer (CDU / CSU) tha se incidenti ishte një “sulm ndaj mandatit të lirë dhe një sulm ndaj demokracisë parlamentare ”.
Kryetari i grupit parlamentar AfD, Alexander Gauland, e quajti aksionin e simpatizantëve të partisë së tij “të paqytetëruar”, dhe kërkoi falje: “Ne duhet ta kishim parandaluar atë dhe t’i mbikqyrnim këta vizitorë.” Por ai i hodhi poshtë akuzat e parlamentarëve të partive të tjera se këto incidente ishin bërë me qëllim nga AfD.ja.
Por Gauland, pas kërkimit të faljes u hodh në kundërsulm dhe kujtoi edhe raste të tjera më flagrante të prishjes së punës parlamentare. Gauland u ankua edhe që deputetët e tjerë nuk u ankuan që dy ditë më parë policia kishte ndaluar me forcë një deputet të AfD-së, megjithëse ky u kishte treguar kartën e deputetit.
Dirk Wiese (SPD) e quajti justifikimin e Gaulandit “hipokrizi” dhe lot krokodili. Incidentet e të mërkurës nuk ishin të rastësishme, tha ai. Por sot ne jetojmë në një demokraci që na mbron dhe e dimë “si mund të sillemi me armiqtë kushtetues”.
Marko Buschmann (FDP) i akuzoi deputetët e AfD se me qëllim po krijonin një “klimë kërcënuese” dhe donin “të përbaltnin institucionet demokratike”, sepse “ata i urrejnë ato”. Britta Haßelmann, nga të Gjelbrit, e quajti një „aksion të orkestruar” dhe “pjesë të strategjisë së AfD-së”.
Petra Pau (E Majta) e quajti incidentin një shkelje tabuje dhe AfD-në armike të kushtetutës: “Shoqëria demokratike duhet ta mbrojë vendin nga AfD-ja”.
Kryetari i parlamentit, Wolfgang Schäuble, tha se ka urdhëruar që rasti të ndiqet si nga organet juridike ashtu edhe nga administrata e Bundestagut.
Armiqtë e demokracisë në rritje
Shumica e medias vendase e shohin incidentin në Bundestag si një shenjë, se partia e djathtë populiste AFD po bëhet një rrezik për demokracinë.
Kështu për shembull, e përditshmja Frankfurter Allgemeine Zeitung vëren se “duket haptazi që tani nuk kemi të bëjmë vetëm me debate, por edhe me dhunë kundër institucioneve”.
Kurse Redaktion Netzwerk Deutschland (RND) shkruan në një koment se armiqtë e demokracisë kanë hyrë deri në mesin e shoqërisë. “Grupi i atyre që kanë hequr dorë nga konsensusi demokratik është i vogël, por ai po rritet. Nuk sjell asgjë ta mohojmë. Shumicës demokratike në vend i mbetet vetëm një opsion: t’i bëjë qëndresë.”/DW