Janë proceduar penalisht dy tifozë të Tiranës, për shkak të incidentit të ndodhur në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnje, ndaj Vllaznisë.

Tre lojtarë të shkodranëve mbetën të dëmtuar pas goli të katërt të shënuar, për shkak të hedhjes së një lënde plasëse në fushë.

Si pasojë e kësaj, Esat Mala, u dërgua në spitalin e Lushnjës, për të marrë ndihmën mjekësore. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka proceduar penalisht dy tifozët të Tiranës, A. M. 19 vjeç dhe K. Ll. 19 vjeç, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.


NJOFTIMI I POLICISË:

Lushnjë/Hodhën lëndë piroteknike në stadiumin “Roza Haxhiu”, gjatë një ndeshje futbolli, procedohen penalisht 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për një rast të hedhjes së lëndëve piroteknike në stadiumin “Roza Haxhiu”, gjatë ndeshjes së futbollit “Tirana-Vllaznia”, të zhvilluar ditën e djeshme, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. M., 19 vjeç dhe K. Ll., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga hedhja e lëndës piroteknike u dëmtua lehtë, një futbollist i ekipit të Vllaznisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

/tvklan.al