Rreth 4 orë pas nisjes së dëshmisë në Komisionin Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë, ish-zv/ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj ka ngritur tonet ndaj kryetares demokrate të komisionit, Albana Vokshi.

Shkak është bërë një term i përdorur nga deputetja Vokshi, që e cilësoi Rrjepajn si të burgosur, kur në fakt është në paraburgim dhe nën hetim me masë sigurie “arrest në burg”, ndaj të cilit nuk ka vendim gjykate.

Ish-zv/ministri Rrjepaj iu referua opozitës demokrate kur tha se ai në hetimin e sterilizimit është i paradënuar dhe jo i paraburgosur, për shkak të gënjeshtrave, siç pretendoi ai, të bëra nga opozita gjatë këtyre viteve.

Klodjan Rrjepaj u shpreh se do të dalë i pastër nga kjo histori.

Plarent Ndreca: Për këto dy procedura jeni në dijeni që ka pasur një proces hetimi penal nga Prokuroria e Tiranës dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda? Dhe nëse keni dijeni, keni dijeni për faktin që të dy këto procedura janë pushuar me vendim nga prokurori?

Klodjan Rrjepaj: Kam dijeni, jam marrënë pyetje, kam që në 2016 që hetohem, nuk është lënë gjë pa hetuar. Nuk shikohet bari, por shikohen mullarët e kashtës për të kërkuar ndonjë gjilpërë, dhe kur nuk është gjetur gjilpëra është marrë fija e kashtës dhe është bërë gjilpërë. Kam dijeni shumë mirë.

Ndërhyn Albana Vokshi: Ju lutem, nuk jeni këtu për të dhënë…jepini atje në Prokurori. Nuk më duhet mua çfarë mendoni për vendimin e… për Prokurorinë dhe për SPAK.

Klodjan Rrjepaj: Ku fola unë, thashë gjë unë Prokuroria e Posaçme? E thatë ju. Nuk thashë gjë unë. Po flas për ata të cilët janë në rrugë, nuk po flas për Prokurorinë, Prokuroria ka punën e vetë.

Plarent Ndreca flet nga vendi

Albana Vokshi: Nuk më duhet se po e heton SPAK-u tani, ti thua e ka mbyllur Prokuroria e Tiranës po hajde te SPAK-u. A është në burg zotëria sepse po e heton SPAK-u?

Klodjan Rrjepaj: Edhe kjo është një gabim tjetër. Nuk mund ta përdorësh qenien time në burg si argument për të mbështetur ato që thua. Se duhet ta përdorësh pastaj për të gjithë që janë në burg e për të gjithë që janë në arrest. Unë jam i paradënuar me burg, jo në paraburgim. Për shkak të këtyre paragjykimeve që i keni sjellë në këto 8 vjet dhe gënjeshtrave që janë thënë këtu. Por do thuhen të vërteta, do dalin të vërteta dhe këtu ku më keni hedhur në këtë gropë do dal jashtë i pastër, i larë, i parfumosur. Kështu do dal. Atje ku e drejta ka vlerë. Ku standardi shkruhet me gërma të arta. Mos e përdor më standardin është në burg dhe për rrjedhojë ka shkelje. Mos e përdor!

Albana Vokshi: Ka mundësi ta ulni tonin e zërit sepse…

Klodjan Rrjepaj: Jo, absolutisht nuk e ul tonin e zërit. Je këtu për të mbrojtur të drejtat e mia.

Albana Vokshi: E keni ngatërruar qëllimin e ardhjes tuaj këtu.

Plarent Ndreca: Zonja kryetare ka të drejtë për këtë pikë, i thatë që jeni në burg, ai është i paraburgosur.

Albana Vokshi: Ne jemi këtu për pjesën administrative, mendimi juaj për pjesën e SPAK apo GJKKO neve nuk na intereson.

Klodjan Rrjepaj mbërriti sot me pranga në duar në Komisionin Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë, pasi SPAK dha aprovimin. Ai ka masë sigurie arrest në burg nga GJKKO për dosjen e sterilizimit, për të cilën ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po hetohet me masën detyrim paraqitje. Kujtojmë se Beqaj ndodhet në qeli aktualisht me masën arrest në burg për një tjetër dosje që hetohet nga SPAK.

/tvklan.al