Për gjyqtaren e seancës paraprake, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, “vodhi në shpërdorim të detyrës” duke bashkëpunuar si “grup kriminal” me ish-zëvendësin e tij, Klodian Rrjepajn dhe biznesmenin Ilir Rrapaj në konçensionin e Sterilizimit.

Në prag të shpalljes së vendimit për kalimin ose jo të dosjes në gjykim, gjykata i kërkoi SPAK të rikualifikonte akuzat ndaj të hetuarve duke rënduar pozitat e tyre penale.

Më herët, SPAK e kishte çuar në gjyq ish-ministrin e Shëndetësisë vetëm për “shpërdorim të detyrës”, ish-zëvendësin e tij dhe biznesmenin për “mashtrim me pasoja të rënda” gjatë procedurave të konçensionit për sterilizimin e mjeteve spitalore.

Por pasi u menduan për disa minuta, dy prokurorët e posaçëm, pranuan të rikualifikonin akuzat sipas kërkesave të gjykatës. Kjo e fundit vendosi të shtyjë seancën për në datën 9 Janar, duke u dhënë kohë 3 të pandehurve dhe avokatëve të tyre të bëjnë kundërshtimet për akuzën e re.

Në një reagim të shkurtër në seancë, Beqaj kundërshtoi pretendimet për vjedhje në dhënien e konçensionit. Për këtë dosje, të pandehur janë edhe 5 persona të tjerë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Tv Klan