Zëdhënësi i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, e cilëson të stisur debatin referuar kalimit në varësi të ekzekutivit të institucionit të prokurorisë.
Aldo Bumçi: “Prokuroria nuk mund të vendoset në varësi të ekzekutuesit të politikës, sepse modeli jonë i politikës është i fiksuar në kushtetutë, kështu që debati për ta vendosur prokurorinë në varësi të ekzekutivit është një debat i paqenë, sepse prokuroria është një institucion i pavarur, mënyra se si organizohet, se si veprohet është në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, kur të vijë në Kuvend do të shqyrtohet bashkë me opozitën dhe nuk mund të ketë një kalim të njëanshëm për hir të votave jo më pastaj për njësitë politike që ka reforma në drejtësi dhe organi i akuzës.”
Sipas Bumçit në grupin e punës që ka hartuar variantin e ri të ligjit për organin e akuzës, krahas ekspertëve vendas kanë marrë pjesë dhe ekspertë të huaj përfaqësues të misioneve që monitorojnë ecurinë e reformave në vend. Bumçi thotë gjithashtu, se këtë fund konsensusi mazhoranca do ta zbatojë dhe për miratimin e të gjitha reformave të domosdoshme, siç është dhe ajo zgjedhore.
Aldo Bumçi: “Ky është një themel shumë i rëndësishëm, një bosht shumë i rëndësishëm i reformave në vend që nuk mund të bëhen pa opozitën, jo thjesht për numër votash, por për hir të çështjeve të cilat preken.”
Si pjesë të procesit për reformë në drejtësi, pozita dhe opozita kaluan ligjin për pushtetin gjyqësorë. Një tjetër projektligj që pritet të kalojë provën parlamentare është dhe ai mbi administratën gjyqësore. Qeveria ka dorëzuar draftin për këtë qëllim. Procesi i reformës parashikon dhe krijimin e gjykatave administrative, projektligji do të paraqitet në kuvend në fund të muajt shtator./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Enver Shehu