Në doganën e Kapshticës pritet që radha e makinave për të kaluar kufirin në drejtim të Greqisë të mbarojë në mesnatë.
Në 12 orët e fundit kanë kaluar 4600 persona, 1 mijë makina dhe 12 autobusë. Komandanti i doganës së Kapshticës ka pohuar se në orët e vona të mbrëmjes situata është lehtësuar dhe me kalimin e autobusëve nuk ka patur ardhje të reja.
Mësohet se emigrantët nuk janë kthyer më mbrapsht pasi kanë udhëtuar shumë për të mbërritur në kufi, por janë shprehur të shqetësuar për pritjen afatgjatë dhe në temperatura të ulëta deri në -4 gradë celsius.
“Në dhjetë të mëngjesit edhe akoma presim. Tani nuk i dihet se kur do ikim. Kemi fëmijët në makinë. Nuk mund të presim dot.”
“Po doganat nuk punojnë. Si do bëhet me ne? Ne do ngelemi dhe për benzinë, do t’i themi shtetit shqiptar të na sjelli botet me benzinë këtu? Kemi fëmijë të vegjël në makina. Në qoftë se ne fikim makinat ne do ngrijmë këtu në borë”.
“Tre orë e çuam, sa do vazhdojmë. Mund të vazhdojmë pesë, gjashtë orë ose deri në mëngjes.”
Radha e gjatë e makinave shkonte deri në 4 kilometra. Arsyeja sipas doganës shqiptare ka qenë fluksi i papërballueshëm i udhëtarëve për pesë sportele të palës greke.
Një nga shkaqet e këtij fluksi mendohet të jetë shkolla që nis më 8 Janar në shtetin helen.
Me gjithë gatishmërinë e spitalit të Bilishtit me dy autoambulanca për ndihmë në rast nevoje mësohet se nuk ka patur probleme.
Gjatë kalimit të kufirit i është dhënë përparësi udhëtarëve me fëmijë dhe të sëmurëve./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle