Ndërsa dhjetëra komuna mbeten të bllokuara nga dëbora në veri të vendit për banorët e këtyre zonave ka nisur shpërndarja e ndihmave.
Helikopterë të shtabit të emergjencave civile pranë Ministrisë së Brendshme kanë mbërritur në dy zonat më problematike, atë të Lurës në Dibër dhe Macukullit në Mat.
Banorët e këtyre zonave e kanë të pamundur prej ditësh komunikimin me pjesë të tjera të vendit.
Trashësia e dëborës arrin në afro 1 metër pavarësisht se reshjet kanë pushuar. Ngricat i bëjnë gjithashtu të pakalueshme rrugët e këtyre zonave të thella malore.
Po ashtu në rrugëtimin nga Tirana drejt veriut të vendit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara në mungesë të komunikimit të rrugës automobilistike shtabi i emergjencave ka kontribuar edhe në transportin e një vogëlushi dhe mamasë së tij nga Macukulli për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Tiranë.
Dëbora dhe ngricat po mbajnë gjithashtu të bllokuara edhe mjaft komuna të tjera në Dibër, por edhe në Malësi të Madhe, Kukës, Tropojë e Pukë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami