Dani Olmo nuk ka për ta harruar debutimin te Barcelona, ku u fut si zëvendësues dhe shënoi golin e fitores për skuadrën e tij në takimin e La Liga-s ndaj Rajo Vajekanos. Futbollisti i përfaqësueses spanjolle ishte regjistruar vetëm pak orë më parë se sa takimi të niste, ndërsa blaugranat e blenë nga klubi i Lepizig për 60 mln euro.

Lopez kishte kaluar vendasit në avantazh pas nëntë minutash, ndërsa Pedri barazoi në të 60. Tetë minuta nga fundi i kohës së rregullt, Olmo shënoi golin që i dha katalanasve tri pikët. Lojtari tregoi emocionet për këtë sfidë speciale.

“E kam pritur me padurim debutimin për një kohë të gjatë dhe nuk mund të ndodhte më mirë. Kishte disa vite që Barcelona nuk kishte fituar këtu, është një fushë e vështirë për të luajtur, kështu që në fund rezultati na gëzon shumë. Jam ndier shumë mirë, mezi sa po prisja për këtë. E më në fund ndodhi. Jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin e shumë më shumë që shënova. Kjo gjë më gëzon!”

Olmo mori vlerësimet e shokëve të ekipit për performancë në fushë. Barcelona është skuadra e vetme e La Liga-s, që ka një nisje perfekte në këtë sezon, me tri takime të fituara nga tri të luajtura.

Klan News