Edhe pse Partia Demokratike ka nisur fushatën elektorale, ende vijon jehona tek mbështetësit e saj për listën e kandidatëve për deputetë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale në qytetin e Shkodrës banorë të këtij qyteti haptazi shprehin pakënaqësi për mbetjen jashtë listave të ikonës së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, gjatë një takimi elektoral të kandidatit të katërt në këtë qytet Bardh Spahiu.
Biznesmeni:
Je djali i mirë boll, je djali i kujt je, por Jozefina asht se nuk mund të zëvendësohet.
Spahiu:
Atë mendojmë, krejt e respektueshme.
Biznesmeni:
Nuk mundet me e zëvendësu kush, kush e zëvendëson? Po tana mo kto që janë ba, tana këto rrugica dhe rrugë, po Jozefina t’i ka kthy këto. Mos me pa kenë Jozefina, kishim ken hala tu u myt lopa në asfalt.
Spahiu:
Ashtu….hm… ashtu e mendojmë dhe ne…
Biznesmeni:
Më falni është personal krejt, unë e kam mbrojt gjithmonë, se e kam mbrojt si shkodrane që ka dhënë për Shkodrën.
Spahiu:
…por sigurisht…hm… këtë e them në përgjithësi, jo për Jozefinën apo për Bardhin…. Në përgjithësi them, mos met një vend vetëm me një a dy persona.
Ish-nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli i quajti listat klienteliste dhe të bizneseve familjare të Lulzim Bashës, duke kërkuar njëherazi mbledhjen e forumeve drejtuese për shkarkimin e tij nga posti i kreut të PD-së./Tv Klan