Fushata e ish-kandidates demokrate për Presidente, Hillary Clinton bëri të ditur se do të marrë pjesë në një rinumërim votash, që ka ndërmarrë ish-kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein në shtetin qendror të Uisconsit.
Juristi i fushatës së zonjës Clinton, Marc Elias u shpreh të shtunën në faqen Medium.com se vendimi vjen pasi fushata e zonjës Clinton, mori qindra kërkesa për ta bërë një gjë të tillë. Zoti Elias konfirmoi se kërkesat e bindën fushatën që të fillojë të mbledhë informacion nëse kishte pasur “ndërhyrje nga jashtë” në rezultatet e zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Elias tha se fushata do të merrte pjesë edhe në rinumërimet në shtetet be Miçiganit dhe Pensilvanisë, nëse vendoset për ato rinumërime.
Fitorja e zotit Trump, u bë e mundur në mënyrë të konsiderueshme falë fitoreve të ngushta në Uisconsi, Pensilvani dhe Miçigan. Zoti Trump i fitoi ato tre shtete me vetëm 107,000 vota.
Zonja Stein depozitoi një peticion të premten për të kërkuar një rinumërim të votave në Uisconsi.
Shteti duhet të respektojë afatin e 13 dhjetorit për të përfunduar rinumërimin.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump e quajti një “mashtrim” dhe u bëri thirrje votuesve të pranojnë rezultatin dhe të shohin nga e ardhmja.
/VOA