Gjykata e Posaçme e gjeti fajtor Lefter Allën për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera dhe e dënoi atë me 3 vite burg.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Alla do të vuajë 2 vite heqje lirie dhe për 5 vite i ndalohet të ushtrojë asnjë detyrë shtetërore. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar në tenderin e ujësjellësit të bashkisë së Bulqizës mikun e tij.

Po për këtë procedim penal, fajtore u gjet dhe zëvendës kryetarja e Bashkisë së Bulqizës, Enkeleda Lleshi, e cila u dënua me 2 vite e 6 muaj burg, por për të gjykata vendosi lirimin me kusht si dhe ndalimin e ushtrimit të asnjë detyre shtetërore për 5 vite.

Lirim me kusht përfituan dhe 4 ish-punonjës të tjerë të bashkisë, të cilët u gjetën fajtor për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi ishin pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ndërkohë biznesmenët Aqif Konesha dhe Rasim Daci, si dhe punonjës të kompanisë, u dënuan nga gjykata për falsifikim dokumentesh me nga 1.6 deri në 1.9 vite burg.

Ata akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe korrupsion aktiv në tenderin e përfituar, vlera e të cilit kap shifrën e afro 3 milionë Eurove.

Tv Klan