Pak ditë më parë emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi denoncimin e qytetares nga Korça Valentina Alushi e cila pagoi për 6 implante, por dy prej tyre i ranë brenda ditës. Dentisti David Todri ia vuri sërish njërin, por sërish nuk mbajti. Zonja tha se ka paguar 1800 euro dhe ka vetëm 3 implante në gojë. Më pas Todri i vuri zonjës një si urë-protezë që kushton 100 mijë lekë të vjetra, por ia shiti 1 mijë e 200 euro.

Me këtë protezë Valentina, as hante, as pinte, madje dhe as nuk fliste qartë. Në total, ajo pagoi 3 mijë euro dhe nuk ka dhëmbë në gojë. Dentisti David Todri i la zonjës datë për t’i kthyer paratë, por në datën e caktua, jo vetëm nuk ktheu shumë e premtuar, por edhe ofendoi me fjalë banale gazetaren.

Tek Urdhri i Stomatologut shpjeguan se Todri ishte me heqje licence për 1 vit, ndërsa tani do t’i hiqet edhe për tre vjet. Në këtë rast Todri nuk duhet të ishte fare në klinikë. Pas transmetimit të rastit të zonjës, klinika “Sorriso a Tirana” mori përsipër të zgjidhë problemin e saj. Administratorja Lynda Isgro u shpreh se Valentinën do ta trajtojë si nënën e saj dhe do t’i vendosë implantet bashkë me urën./tvklan.al