Delegacioni i komisionit të integrimit të Kosovës ka vijuar vizitën zyrtare në Tiranë me takimet e zhvilluara me kryeministrin Berisha, ministrin e jashtëm Lulzim Basha dhe ministren e integrimit Majlinda Bregu. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha kreu u qeverisë ka bërë një prezantim të reformave të ndërmarra nga Shqipëria gjatë tre qeverisjes së djathtë.

Deputetët nga Kosova vlerësuan mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për pavarësinë e vendit të tyre. Nga ana tjetër ministri Basha përgëzoi punën voluminoze të Kuvendit të Kosovës për hartimin e kushtetutës së Kosovës, në përputhje me parimet e paketës Ahtisari.

Ai garantoi se qeveria Shqiptare do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha proceset integruese të saj që kanë marrë rrugë të pa kthyeshme. Ministri Basha dhe delegacioni nga Kosova kanë vlerësuar rëndësinë që ka ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, për shtimin e kontakteve mes dy vendeve.

Ndërsa ministrja e integrimit Bregu ka nënvizuar njësinë e shkëmbimeve të eksperiencave në rrugën integruese. Kryetarja e komisionit të integrimit të parlamentit të Kosovës zonja Zylfie Haziri tha se aktualisht nga ana e politikë bërësve kosovar po shqyrtohen mundësitë më të mira për gjetjen e strukturës më të përshtatshme në mbështetje të procesit të integrimit në Kosovë./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama