Lajme Arkiva 2003
Deputetët socialist kërkojnë raportim para grupit të Ministrit të Financave Kastriot Islami për akuzat që opozita ka hedhur së fundmi për Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Ferdinand Papadhima.
Burime brenda grupit parlamentarë socialist tregojnë se gjatë mbledhjes së sotme që është zhvilluar pa praninë e kamerave, është kërkuar që ministri Islami të jap llogari dhe të hedhë poshtë akuzat nëse janë të pavërteta ose të dalin përgjegjësit në rast të kundërt.
Mësohet se iniciator të kësaj lëvizje të fundit brenda grupit socialist, kanë qenë deputetët Namik Dokle, Dritan Prifti dhe Petro Koçi të cilët kanë kërkuar që të dalin përgjegjësit e vërtetë të kësaj ngjarje, pasi mazhoranca socialiste dhe qeverisja e saj nuk kanë nevojë për kosto të tilla.
Deputeti Koçi duke argumentuar kërkesën e tij u ka kujtuar anëtarëve të tjerë të mazhorancës që ka qenë kriteri i parë i emërimit të Papadhimës në krye të doganave. Pas kësaj është vendosur që në mbledhjen e të martës së ardhshme të paraqitet për raportim ministri Islami që është cilësuar edh shkaktar i kësaj ngjarje.
Çështja në mbledhjen e sotme të grupit socialist ka qenë dhe komisioni parlamentar për transparencën e firmës piramidale për ngritjen e së cilit socialistët janë shprehur parimisht pro ./tvklan.al