Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Klajdi Shehu u rrëmbye në një rrugë pranë stacionit të trenit në Vlorë. 20 vjeçari, sapo kishte dalë nga në palestër dhe me makinën e tij tip Fuoristradë, po largohej. Në pak sekonda tre burra kanë ndaluar makinën e 20 vjeçarit dhe e kanë detyruar atë të lëvizë me ta në drejtimin e diktuar prej tyre. Momentet e rrëmbimit janë fiksuar nga një i afër i familjes Shehu. Dëshmitari i ndodhur rastësisht tregon për TV Klan, skenën e rrëmbimit.
Krenar Mehmeti:- “Ka qenë rreth orës 8:30, ose 8:45 dhe me Klajdin jam shkëmbyer diku tek kjo rruga këtu dhe nuk e kishte mendjen, më duket ishte duke folur në telefon, sepse nuk e ktheu kokën nga mua dhe unë po e shikoja dhe mu duk çudi si ishte në atë orë në këtë rrugë, se kjo është në periferi, pranë stacionit të trenit është rrugë qorre dhe po e ndiqja me sy, me anë të pasqyrës së makinës time, kur ndërkohë në një largësi 40-50 metra larg, makina ka frenuar dhe më kanë rënë në sy frenat e pasme që u ndezën stopat dhe tre persona me shpejtësi i dolën para makinës”.
Pasi kanë hyrë në makinë, rrëmbyesit i kanë diktuar 20 vjeçarit, drejtimin që duhet të merrte. Dyshues për atë që pa me sytë e tij, Krenar Mehmeti ka shkuar fillimisht në shtëpinë e Klajdit dhe në 30 minutat e para pas ngjarjes, askush nuk ka qenë i sigurt se bëhej fjalë për një rrëmbim.
Krenar Mehmeti:- “Unë personat nuk i pashë se ishte errësirë vendi, nuk i pashë nëse ishin me armë, sepse po t’i kisha parë që ishin me armë isha i bindur që ishte rrëmbim dhe do të shkoja të lajmëroja policinë, ngaqë s’isha i bindur dyshova dhe jam bindur vetëm kur kam vajtur tek shtëpia e Klajdit, që i ati e ka marrë disa herë në telefon dhe më pas iu mbyll telefoni”.
Kështu policia e Vlorës është lajmëruar 30 minuata pas ngjarjes. Makina e djalit është gjetur pranë godinës së OSBE-së, të nesërmen në mëngjes dhe prej dy ditësh nuk ka asnjë lajm për vendndodhjen e nipit të biznesmenit Sulo Shehu. Ndërsa familjarët i kanë dëgjuar për herë të fundit zërin natën e rrëmbimit, kur djali u ka thënë, “jam mirë mos flisni”./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj