Hetimet zbulojnë të tjera detaje për avionin italian, që mbeti të enjten në grykëderdhjen e Ishmit. Dyshohet se disa persona mund të kenë qenë në vendngjarje së bashku me pilotin italian Guido Andrea Guidi dhe të jenë larguar me ndihmën e një skafi kur avioni mbeti mes shkurreve, në përpjekje për t’u ulur në pistën që ishte hapur 10 ditë më parë nga trafikantët.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Tv Klan se trafikantët kanë qenë duke pritur avionin për të ngarkuar lëndën narkotike, të cilën ata e kishin me vete në skaf.

“Corriere Della Sera” duke iu referuar burimeve nga shërbimet sekrete italiane, shkruan se Guidi kishte bërë një kontratë me trafikantët që të ngarkohet 200 kg marijuanë dhe do të paguhej 20 mijë euro.

Këto të dhëna, piloti italian i ka pranuar edhe gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për shkak të daljes së këtij informacioni, prokurori ka hapur edhe një çështje për nxjerrje të sekretit hetimor.

Por “Corriere Della Sera” shkruan se pesha që mund të mbajë avioni që ngeci në Ishëm është 1.5 ton.

Ky fakt i bën prokurorët të dyshojnë se, sasia që do të merrte ai me vete do të ishte më e madhe se ajo e deklaruara prej tij.

Guidi ka treguar edhe emrat e dy personave, një shqiptari dhe një italiani, duke thënë se ata e kishin kontaktuar për të bërë transportin e drogës.

Këta persona, sipas gazetës prestigjioze italiane, janë të njohur nga drejtësia shqiptare dhe ajo e vendit fqinj.

Hetimet janë shtrirë edhe në Itali ku autoritetet atje po verifikojnë të gjitha detajet e dhëna nga 69 –vjeçari.

Mediat italiane shkruajnë gjithashtu se autoritet e klubit ajror të Savonës, pjesë e të cilit është avioni tip “Piper” i ngecur në Ishëm, kanë bërë me dije se ai është nisur të mërkurën. Dhe se te premten pasdite, pas një ndalese në Kremona duhet të kthehej në Bari.

Presidenti i Klubit të fluturimeve ajrore, Mauro Zunino tha se “Guido nuk ka njoftuar për ndryshim të destinacionit të lëvizjes për në Shqipëri”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka kërkuar edhe ndihmën e INTERFORCE-s për të zbuluar rrjetin e narko-trafikut./ TV KLAN