Manchester United konsiderohet si një nga klubet më të mëdha në botë, për traditën dhe tifozerinë.

Por “Djajtë e kuq” e kanë një problem serioz, përveç trofeve të cilat po mungojnë në këto vitet e fundit.

Ai është “Old Trafford”, një stadium ikonik, por që nga dita në ditë po shkon drejt degradimit.

Terreni është rrënuar në vitet e fundit, çatia pikon, por edhe ambientet e brendshme janë në një gjendje të keqe.

“Djajtë e kuq” nuk fitojnë një titull prej 11 vitesh, ndryshe nga rivalët e Cityt, që kanë shkëlqyer.

Por aksioneri i ri Xhim Retklif i ka idetë e qarta sa i përket impiantit të ri.

Ai mendon se një klub i madh ka nevojë për një impiant madhështor dhe është gati që të investojë. Opsionet janë ose të prishet “Old Trafford”, ose të ndërtohet një stadium i ri në periferi të Mançesterit.

Ai ka emëruar ikonën e klubit Geri Nevil dhe kryebashkiakun e Mançesterit Endi Bërnharm për të vendosur zgjidhjen më të mirë.

“Old Trafford” është ndërtuar 114 vite më parë. Hera e fundit ku u ndërhy ishte në 2006, ku u shtuan 8 mijë vende.

Por kërksa për bileta vazhdimisht ka qenë e lartë dhe në klub janë të ndërgjegjshëm se për tifozët duhen kushte më të mira.

Te Mançesteri nuk u prit mirë as fakti se ‘Old Trafford’ nuk do të jetë një ndër stadiumet pritëse të Euro 2028, që do të organizohet në Angli dhe Irlandë.

Kostoja e rinovimit do të shkojë deri në 2 miliardë Paund, por sipas klubit impaktoi ekonomik në zonë do të jetë i madh.

Është llogaritur që ekonomisë së zonës do t’i jepen 7.5 miliardë Paund nga ky investim.

Klubi duhet ta marrë vendimin shpejt; të rinovojë stadiumin historik ku është luajtur futboll në mbi 100 vite, apo të nisë gjithçka nga e para, këtë herë në periferi.

Klan News