Tregu i pasurive të patundshme në Shqipëri! Kjo është tema që të ftuarit kanë diskutuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Në studio ndodhej edhe analistja e ekonomisë, Mira Pogaçi, e cila ka dhënë disa këshilla të mira për çiftet e reja ose personat me të ardhura të kufizuara që po planifikojnë të blejnë një shtëpi.
Mira Pogaçi: Mund të jap disa këshilla të shpejta? Atëherë, për çiftet e reja apo për personat që sot ende nuk kanë një shtëpi, por kanë të ardhura të kufizuara; e para, sa më parë që të fillojnë investimet aq më mirë është sepse nëse i drejtohen kredisë bankare, automatikisht kreditë fillojnë me afat 20 vjeçar deri në 25 vjeçar. Kështu që mosha luan një faktor për aprovimin e kredisë.
Kur të bëjnë llogaritë e tyre, ka banka që ofrojnë edhe 20 për qind paradhënie, pra një vlerë më të ulët, sepse e dimë që është pak mangësi për shumicën e njerëzve që të kenë 20, 25 apo 30 për qind të pronës. Duhet të kenë në vëmendje që të bëjnë llogaritë, që kësti mujor që ju del dhe e gjeni në shumë faqe online të bankave; mund të bëni një përllogaritje vetë të këstit për 20 vite, 240 muaj, kësti të jetë i barasvlershëm me qiranë e zonës. Pra, flas për njerëz që i kanë situata më të, po themi të varen nga puna, dhe natyrisht, tregu i punës tek ne është shumë volatil (i paqëndrueshëm), sot mund të jem në punë, nesër jo. Duhet që ta bëjnë “back-up” vlerën e pronës, qiranë mujore me këstin e kredisë.
Pra duhet t’i ndajmë, ata që shkojnë për të jetuar vetë dhe në këtë rast, mirë do të ishte që pronat të ishin të përfunduara, ta gëzonin menjëherë pronën e jo të paguanin qira diku dhe të prisnin ndërtimin, le të themi.
Mund të shohin dhe pallatet e vjetra pa diskutim, sepse është një treg që është edhe ai, ekziston. Dhe diçka tjetër, që unë besoj se i mungon tregut këtu tek ne, është fraksionizmi i pronës. Pra mund të shohin, sepse ka apartamente që janë më të mëdha 3+1 dhe mund të konsiderojnë… po flasim për çiftet që duan një apartament të parë, që mund të shkojë 1+1, janë pa fëmijë, mund të konsiderojnë edhe blerjen e një prone të madhe ndërmjet familjarëve dhe pastaj ta copëtojnë, të bëjnë dy apartamente. /tvklan.al