Masakra e pasdites së djeshme në Dobraç të Shkodrës ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë vijojnë.
Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja raporton se janë shoqëruar 10 persona në Policinë e Shkodrës gjatë mëngjesit të sotëm, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka qenë numri më i lartë i të shoqëruarve të cilët janë marrë në pyetje, ndër të cilët ka qenë edhe Safet Bajri.
Një emër ky i njohur si rival i familjes Lici. Ai është shoqëruar në Policinë e Shkodrës dhe pas pak minutash është lënë i lirë pasi ka bërë deklarimet e tij.
Sipas të njëjtave burime, i plagosuri rëndë nga kjo ngjarje, Bashkim Basha, po lufton me jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ai ka qenë duke lëvizur me motor së bashku me bashkëshorten e tij kur është përplasur nga makina në të udhëtonin 2 viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Në momentin që ata ranë pre e breshërive të plumbave, makina humbi kontrollin dhe përplasi 2 kalimtarët fatkeqë. Nga përplasja mbeti e vdekur Flutura Basha, ndërsa Bashkim Basha u plagos rëndë. Ndërkohë, Arlind Bushati mbeti fillimisht i plagosur rëndë, por ndërroi jetë rreth 6 orë më vonë në spital./tvklan.al