Shkak është bërë mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta
Mungesa e eksporteve dhe çmimi i ulët me 20 lekë për kilogramë, kanë sjellë dështimin e prodhuesve të serrave diellore me domate në fshatin Drenovicë të Beratit.
Në pamundësi për t’u shitur, prodhimi i domateve po hidhen në kanal ose po u jepen bagëtive për të ngrënë, ndërsa fermerëve po u ikën e gjithë puna e këtij sezoni dëm.
“Jam shumë i lodhur, shumë i stresuar. Punova e s’fitova gjë. Gjysmën e serës e kam nxjerrë matanë. Andej është zonë që kullot bagëtia”.
“S’ka treg, domatja nuk po shitet fare. Të shitet 10 lekë në Dhjetor është gjynah, po e hedhim poshtë”.
Fermerët thonë se kjo punë jo vetëm që nuk po nxjerr fitime, por i ka rrënuar financiarisht duke u futur edhe në borxh.
Vetëm në Drenovicë janë mbjellë 400 hektarë domate dimri në serra, ndërsa 1500 hektarë llogariten në të gjithë qarkun.
90% e prodhimit është e destinuar për eksport. Këtë vit pandemia solli uljen e kërkesave në vendet e Ballkanit duke sjellë rënien e çmimit deri në nivelet minimale.
Tv Klan