“Komisioni i jashtëm në Parlamentin Evropian gaboi në qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë, pasi Shqipëria e meritonte liberalizimin e vizave”.

Deklarata është e eurodeputetes, Doris Pack, njëkohësisht zv/presidente e komisionit për marrëdhëniet me Evropën Juglindore.

Në një interviste të dhënë për një të përditshme shqiptare, zonja Pack shpjegon arsyet se perse vendi ynë e meriton liberalizimin e vizave.

“Shqipëria ka bërë progres, ka arritur të lëshojë një numër të konsiderueshëm pasaportash biometrike, Bosnja nuk ka lëshuar asnjë të tille, pra është shume e vështire të mos dallosh diferencat. Shqipëria në krahasim me Bosnjën ka patur shumë më tepër arritje dhe është një vend me një stabilitet shume më të madh se Bosnja, që është ende një vend i lëkundur”- shprehet Pack në intervistën e dhënë për gazetën Metropol.

“Gjithashtu Shqipëria në krahasim me Bosnjën kryeson përsa i përket plotësimit të kërkesave, ndaj shpresoj që me përfundimin e pajisjes së qytetareve me pasaporta biometrike, Komisioni do të hape dritën jeshile edhe për Shqipërinë, e parashikuar kjo ne muajt e pare të vitit 2010” thotë Pack.

Ndërkohë e pyetur lidhur me korrektësinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të Qershorit, duke qenë një njohëse e mire e politikes shqiptare, si dhe lidhur me bojkotin e seancave parlamentare të deputeteve të opozitës, Pack shprehet:

“Zgjedhjet e 28 Qershorit kane qenë më të mirat që janë mbajtur në 20 vjet tranzicion. Çdo shqiptari iu dha mundësia të pajisej me dokumentin e identifikimit, dhe kjo është një merite jo vetëm e qeverise paraardhëse, por edhe e opozitës, e cila i mbështeti reformat elektorale. Ndaj dhe komuniteti ndërkombëtar i ka njohur këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme. Opozita duhet të respektoje rezultatet e zgjedhjeve. Çdo akuze duhet të jete e provuar, asnjë deputet nuk duhet të largohet nga Parlamenti, pasi ai është votuar nga populli dhe paguhet për të punuar ne parlament.

Megjithatë, përfundon eurodeputetja, intervistën për Metropol- problemet janë brenda socialisteve, pasi janë të ndarë në qëndrime dhe një pjese nuk e pranojnë koalicionin e zotit Meta me zotin Berisha./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini