Prokuroria nuk gjen prova pas 3 vite verifikimesh
Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për Emiljano Shullazin për akuzën e pastrimit të parave. Pas më shumë se tre viteve hetim fillimisht nga Krimet e Rënda dhe më pas nga Prokuroria e kryeqytetit, nuk janë gjetur prova të cilat implikojnë Shullazin në pastrimin e parave.
Hetimet janë pushuar edhe për biznesmenin Ylvi Beqja për të njëjtën akuzë pasi edhe për të nuk ka pasur fakte për të çuar dosjen në gjykatë. Beqja, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë tregoi se Shullazi i kishte marrë me dhunë 30% të ish-hotel Vollgës si dhe 550 mijë Euro me anë të gjobëvënies. Për këto akuza Emilajno Shullazi dhe 4 bashkëpunëtorët e tij Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja u dënuan me 55 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Prokuroria e Tiranës për çështjen e pronësisë së ish-hotel Vollgës ka pushuar hetimet edhe për tre gjyqtarë të Durrësit të cilët kishin dhënë një vendim për pronësinë e objektit, në të njëjtën kohë kur në Gjykatën e Lartë po zhvillohej një proces tjetër për të njëjtën çështje. Edhe në këtë rast nuk janë gjtur prova për të vërtetuar akuzën e shpërdorimit të detyres për gjyqtarët Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura.
Tv Klan