Hysen Meta, denoncoi zhdukjen e të atit të tij Pëllumb Meta në orët e vona të 13 Shkurtit. Ai deklaroi para bluve në Durrës se “babai ishte zhdukur”. Drejtori i Policisë në këtë qytet Skënder Hita, tha sonte në “Opinion” në Tv Klan se 24 vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia dhe se planin për ekzekutimin e kryefamiljarit e kishte bërë bashkë me të motrën 19 vjeçare, Hygertën.
Sipas Hitës, familjarët e të ndjerit paraqitën edhe disa receta mjekësore në komisariat, me pretendimin se ai kishte probleme të shëndetit mendor. Por që më pas rezultoi e pavërtetë. Po ashtu, fakti që 50 vjeçari nuk kishte humbur asnjëherë më parë kontaktet dhe ishte i përkushtuar ndaj punës e familjes, e bëri Policinë të dyshojë se kishin të bënin me një krim të rëndë.
Skënder Hita: Për të denoncuar këtë rast ka ardhur dhe është paraqitur Hysen Meta, djali i madh i viktimës tashmë.
-Që jetonte si emigrant në Itali?
Skënder Hita: Shkonte dhe vinte herë pas herë, kishte qenë dhe në Angli. Pra, bënte një jetë mes emigrimit dhe Shqipërisë. Ai kishte disa ditë para ngjarjes që ishte kthyer. Në familjen e tyre bashkë me motrën kanë planifikuar vrasjen e babait të tyre.
-Sa kohë përpara, ka të dhëna?
Skënder Hita: Që në momentin që ka ardhur në Shqipëri, kanë filluar diskutimet vëlla e motër për të realizuar këtë krim monstruoz. Në këto kushte pas kallëzimit të bërë, në datë 13 në orët e vona të darkës ai vjen e thotë “babai është zhdukur”. Është bërë procedura normale e rastit. Pas kësaj janë intervistuar familjarët, kolegët, ditën tjetër dhe më datë 17 u gjet mjeti i braktisur në zonën pranë Sektor Rinia. Fakti që u gjet mjeti patjetër do shihej dhe rrugë kalimi, u zbulua dhe një makinë tjetër që e ndiqte. Këto ishin indiciet që na dhanë të kuptonim që s’kemi të bëjmë me një zhdukje, por duhej hetuar dhe duhej çuar para për të mësuar të vërtetën. I bëmë një profil analitik viktimës, nxorrëm të dhëna, ai nuk kishte humbur ndonjëherë kontaktet, jetën e kishte të lidhur te puna e te familja, i kishte afër, në këto rrethana ai s’mund të largohej dhe të linte makinën në një vend të pazakontë. Familja e tij na thanë se ka marrë dhe mjekim për të sëmurë mendor, ku na paraqitën disa dokumenta shëndetësorë dhe receta që i kishin bërë vite më parë, por nuk na rezultonte e vërtetë./tvklan.al