Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli e sheh të gabuar nënshkrimin nga ana e Qeverisë Shqiptare të marrëveshjes me qeverinë greke për ndërtimin e dy varrezave për ushtarët grek të rënë në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur parasysh se Shqipëria prej shekujsh është bërë fushëbetejë ku janë përballur ushtritë e shteteve të ndryshme, për Agollin nëse qeveria shqiptare do të pranonte çdo kërkesë për ngritjen e varrezave të ushtarëve të huaj të rënë në Shqipëri atëherë vendi do të kthehej në një varrezë masive.

Dritëro Agolli: “Në qoftë se do të ngrihen të gjithë këto ushtri, atëherë nuk do kishim vend ku të mbillnim më, se do ishin mbjellë me eshtra. Po të kalojë njëherë miu nën mustaqe bëhet e zakonshme se të kalon gjithnjë, por i lutemi natyrës që mos të kërkojnë dhe fqinjët e tjerë. Serbët, tani që erdhi dhe ai prifti tha, që duhet të bëjmë një varrezë për këta. Ne duhet të jemi më dorështrënguar për varrezat.”

Duke e parë si pozitiv faktin që marrëveshja u ndërtua për ngritjen e 2 varreza dhe jo 4 siç kishte kërkuar pala greke, Agolli shpjegon dhe arsyet që e kanë detyruar qeverinë shqiptare të pranojë kërkesën e vjetër të qeverisë greke.

Dritëro Agolli: “Ne jemi shumë të varur sepse kemi 600-700 mijë emigrantë të Greqi edhe detyrohemi, jemi të varur nga konjektura.”

Një arsye tjetër që kushtëzon Qeverinë Shqiptare të finalizojë marrëveshjen për ngritjen e memorialëve të ushtarëve të rënë grek për Agollin, por dhe për analistët politik është dhe ratifikimi nga e Athinës zyrtare e marrëveshjes së MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian si dhe protokollit të NATO-s, deri tani parlamenti grek nuk e ka hedhur këtë hao me pretendimin se ka probleme teknike me përkthimin e dokumenteve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka