Këtë të martë emisioni “Opinion” në Tv Klan u fokusua tek shqiptarët nëpër botë, duke dëgjuar historitë e disa prej tyre që kanë nisur jetën shumë larg Shqipërisë.

I tillë është edhe Klevis Shima, një i ri nga Tirana që emigroi që në moshë të vogël, ndërsa tashmë, zotëron restorantin “Hapiha”, në Singapor.

I pyetur se nëse mendon ndonjëherë kthimin, Klevisi tha që po, por nuk beson që kjo do të ndodhë së shpejti. Ai tregoi ëndrrën e tij që të blejë një tokë në një fshat të Shqipërisë dhe të jetojë aty.

E menjëhershme ndërhyrja e Blendi Fevziu që me humor i tha Klevisit që të kthehet shpejt pasi nuk “kanë mbetur më katunde në Shqipëri”.


Blendi Fevziu: E mendon ndonjëherë kthimin?

Klevis Shima: Kthimin në Shqipëri e mendoj shpesh, por jo shpejt. Do vijë dita që do të kthehem dhe e mendoj shpesh. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë deri në moshën 14-vjeçare, por unë kam një dashuri me fshatin, nuk e di pse. Unë dua të kthehem në Shqipëri të blej një copë tokë në katund dhe të jetoj e të punoj e të bëhem agronom.

Blendi Fevziu: Kleviso kthehu shpejt se s’ka mbetur më katund në Shqipëri. I kanë bërë qytet të gjitha.

Klevis Shima: Jo shumë shpejt, por do kthehem.

Blendi Fevziu: Hajde kape një copë katund dhe mbaje, ruaje mbaje fort sepse ndryshe ti e di, që mediat botërore më shumë kanë pasur vëmendjen tek agroturizmet në Shqipëri për cilësinë e ushqimit dhe i kanë konsideruar më interesantet e gjithë Europës. Në fakt janë edhe më autentike./tvklan.al