#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#arditgjebrea #erjon#evis #mishel #rikbert #adoptim #nene #dokumenta #takim #mbese #aldomorningshow
E pandehte të vdekur, mëson pas 44 vitesh për ekzistencën e vëllait biologjik!
Historia e dytë që vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” është rrëqethëse. Moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan shpjegon se si një nënë e braktisur nga të gjithë, merr foshnjën e saj në krahë, e puth dhe detyrohet ta lërë në maternitet. Pas disa kohësh, e penduar ajo rikthehet për të marrë fëmijën, e kërkon ngado por i thonë që nuk jeton më.
44 vite më vonë, fëmija i drejtohet “Ka Një Mesazh Për Ty” duke kërkuar nënën e tij biologjike. Nëna gjendet, por ka kaluar vështirësi të mëdha shëndetësore, sëmundje e operacione dhe nuk mundet të vijë në program. Pasi stafi largohet, instinkti i nënës e shtyn të mendojë se po e kërkon djali dhe nuk dëshiron ta braktisë sërish.
Ajo ia rrëfen historinë djalit tjetër të saj, Mishelit duke i kërkuar që të shkojë ai në vend të saj në program. Kjo shënon edhe një përjashtim nga rregulli i rubrikës sepse gjithmonë është i pranishëm personi që i drejtohet mesazhi, por në këtë rast është një vëlla që kërkon të njohë gjysmën tjetër, ndërsa nëna e pret të birin në shtëpi.
Misheli ka ardhur në studio dhe mëson menjëherë se është vëllai i tij ai që do ta presë. Ai nuk do të ketë mundësi ta shohë deri në momentin që ekrani do të shfaqë pamjen e të dyve njëkohësisht.
Ardit Gjebrea: Si e prite këtë histori?
Mishel: Për mua është okej derisa nëna ime ka pasur një histori të tillë. Unë jam i ndërgjegjshëm në këtë pjesë, ma shpjegoi aq sa ajo dinte, aq sa ajo mbante mend, por që shpresoj të jetë ajo që më ka shpjeguar nëna ime dhe unë e mirëpres shumë.
Ardit Gjebrea: Si e keni përjetuar këto ditë këtë situatë në shtëpi?
Mishel: Mendime nga më të ndryshmet, emocionet, por që është pozitive e gjitha, është shumë pozitive.
Ardit Gjebrea: Ti je fëmijë i vetëm?
Mishel: Po jam i vetëm me nënën time.
Ardit Gjebrea: Nëna dinte që fëmija nuk jeton, apo jo?
Mishel: Po, kjo ishte më se e vërtetë dhe kjo pjesë besoj se e ka rënduar më tepër sesa duhet, tani që ajo mendon se mund të jetë… e ka rënduar emocionalisht.
Mishel: Në fakt ne asnjëherë nuk tregojmë se kush fton sepse të gjithë ju që vini këtu mbeteni, si të them, ajo pjesa që “kush na ka ftuar?” dhe për sa kohë që ftesa ishte për nënën tënde, duhet të vinte ajo dhe ajo duke menduar dhe tha “mos është djali im që unë kam humbur”, atëherë në këtë moment ne nuk mundej që ta linim këtë histori, unë e shpjegova edhe për telespektatorët, kështu që më lejo që të ta them ty të parit. Kemi bërë një përjashtim, jemi njerëz, televizioni ka rregulla, programet kanë rregulla por rregulli kryesor është shpirti, është njerëzillëku siç themi ne dhe në këtë rast më lejo të të them që po, është vëllai yt që do të vijë pas pak.
Ardit Gjebrea: Faleminderit! E mirëpres.
Mishel: Tani, ai sigurisht që ka ftuar nënën tënde dhe unë e shpjegova që mami është e pamundur, ti do të ulesh dhe nuk do ta shohësh vëllain sepse unë do të doja që të shiheshit të dy në të njëjtën kohë dhe ti do të dëgjosh historinë e tij. Ai do të vijë bashkë me bashkëshorten e tij sepse në fakt, historia fillon nga bashkëshortja e tij dhe është shumë interesante.
Misheli e njeh vëllain me emrin Rikbert, siç ia ka rrëfyer nëna e tij por prindërit adoptues e kanë quajtur Erion.
Telefonata në “Aldo Morning Show”, bashkëshortja rrëfen si nisi kërkimi për prindërit e Erionit
Misheli gjendet në “Ka Një Mesazh Për Ty” në vend të nënës së tij. Që në nisje të rubrikës, moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea shpjegoi se ajo nuk mundet të vijë për shkak të gjendjes shëndetësore, por historia është e tillë që duhej të bëhej një përjashtim.
Para 44 vitesh, nëna e Mishelit u detyrua që të linte në maternitet djalin e saj. Kur u kthye për ta marrë, iu tha se kishte vdekur dhe prej 44 vitesh, ajo e dinte të tillë. Ftesa e programit e bëri të mendonte se i biri ishte gjallë dhe instinkti nuk e gënjeu. Vetëm para pak minutash, Mishelit iu konfimua nga Gjebrea se në anën tjetër të ekranit do të jetë vëllai i tij biologjik, i lindur si Rikbert dhe që sot mban emrin Erion.
Rrëfimin e nis Evisi, bashkëshortja e Erionit që e shoqëron. Gjithçka ka filluar me një telefonatë të saj në një tjetër program të Tv Klan, “Aldo Morning Show”. Pasi dëgjoi qëndrimin kundër të një telefonueseje se fëmija i birësuar s’duhet ta kërkojë nënën biologjike, ajo ka ndarë me emisionin e mëngjesit historinë e bashkëshortit të saj. Nga ai moment, filloi kërkimi për prindërit biologjikë të Erionit.
Evis: Nuk mund ta përshkruaj dot se çfarë kam ndier në atë moment. Isha edhe shumë e ngarkuar emocionalisht, kisha babain që vuante prej kohësh dhe kjo gjëja mbase më kishte bërë më delikate. I bie numrit të telefonit, ishte hera e parë që unë kontaktoja me Aldon, nuk kisha folur kurrë. Nuk e di se si funksionon por di që u lidha shumë shpejt, nuk është se prita, nuk është se zgjati, mbase po të kishte zgjatur nuk do ta kisha marrë më.
Më del Aldo, thotë “përshëndetje”, përshëndetje i them unë, thotë “nga flisni”, i them nuk dua të jap emër se po ta them emrin do kuptohet se unë dua të flas për këtë çështjen që dëgjova se e kam personale, e kam të jetuar. “Si e ke personale”, tha, “ti je e birësuar?” Jo, i thashë, nuk jam, por kam bashkëshortin të birësuar dhe nuk më pëlqeu ajo që tha zonja, mendoj pavarësisht që kurrë nuk e ka shprehur, por unë e shoh në sytë e tij, e shoh në bisedat që bën, e shoh në momentet kur ka një siklet, kur ka një problem, e shoh sesi shprehet, e kuptoj që ai e vuan këtë gjënë që nuk e ka takuar nënën e vet.
Pas shumë gjërash që diskutuam aty, ishin nga më të ndryshmet, në fund fare më thotë dëshiron “t’ua jap numrin tuaj të telefonit gazetarëve të “Ka Një Mesazh Për Ty?” Në fillim, me thënë të drejtën nuk po jepja as përgjigje, i thashë jo, këtë nuk mund ta bëj dot unë. Pastaj e mendova, i thashë, e di çke, jepja njëherë numrin se… mbyll telefonin, kam qenë atë ditë derisa ka ardhur Erioni në shtëpi, nuk e di, nuk e përshkruaj dot.
Kur erdhi Erioni, i thashë kam bërë diçka, nuk e di sesi do reagoni. “Çfarë ke bërë”, tha se kujtoi e ke parasysh, ndonjë pazar, ndonjë gjë si të gjithë burrat. I thashë kam folur në telefon me Aldon për një temë dhe Aldo më ka marrë numrin e telefonit, do kontaktoj për problemin që ti ke. Mendova që do reagonte keq, faktikisht reagimi i Erionit ishte…nuk e di, i shkëlqyen sytë, ndryshoi çdo gjë, tha “shumë mirë”. I thashë “e ke me gjithë mend apo…” se isha në siklet me thënë të drejtën. “Jo, jo”, tha, “shumë mirë”. Çdo ditë që vinte nga puna, më pyeste “a kanë marrë në telefon”.
“Dëgjoja fjalë tek-tuk”/ Erioni kujton si e mësoi që ishte i birësuar: Shoqja më ktheu te letra në dollap
Pas përfundimit të rrëfimit të bashkëshortes, Evisit që tregoi për “Ka Një Mesazh Për Ty” si nisi kërkimi për prindërit e tij biologjikë, Erioni ndan kujtimet e tij. Në anën tjetër të ekranit të studios së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndodhet vëllai biologjik, Misheli që vetëm po e dëgjon, pa patur ende mundësinë ta shohë.
Vetë Mishelit iu konfirmua vetëm pak më parë që Erioni është vëllai biologjik që prej 44 vitesh e ëma e kishte menduar të vdekur. Erioni s’e ka patur të lehtë ta ndajë historinë e tij dhe as ta pranojë. Kujtimi i parë që i vjen ndërmend është një letër e gjetur në dollap të cilën nuk e kuptonte. Vite më vonë, letra do të konfirmonte fjalët e shoqes së tij që i tha se nuk ishte djali biologjik i asaj familjeje.
Erion: Kam qenë 13-14 vjeç dhe gjej një letër në dollap, por nuk e kuptoja se çfarë ishte. Lexoja emrat, por nuk më shkonte në mend.
Ardit Gjebrea: Çfarë ishte ajo letër?
Erion: Lexova emrat e prindërve dhe emrin tim, pastaj nuk e di, letër gjyqi ishte për të qenë, por nuk i jepja… nuk e kuptoja se çfarë ishte. E lashë kështu si në hije, pastaj filluan vitet duke kaluar…
Ardit Gjebrea: Ti nuk e pyete mamin me babin?
Erion: Jo.
Ardit Gjebrea: Ah, nuk i pyete.
Erion: Jo, fare.
Ardit Gjebrea: Pse? Apo ishe i vogël?
Erion: I vogël, nuk e mora shumë seriozisht që ta gjëmoja atë gjë, e lashë. Pastaj, duke kaluar vitet, shihja njerëzit, reagimet… ndonjë fjalë kështu tek-tuk ose ndoshta më rrinte mua mendja aty gjithë kohës dhe po të dëgjoja ndonjë fjalë, më shkonte mendja te vetja… s’e di.
Ardit Gjebrea: Dhe gjithmonë ka një moment të parë që dikush ta thotë dhe që ty të fillojnë dyshime e mëdha dhe ndoshta mund të jetë ashtu siç e thonë.
Erion: Po, ka qenë mosha 18 vjeç pastaj. Një shoqja ime, në muhabet e sipër, e kisha shumë shoqe dhe më tha që “ti je i birësuar, s’janë prindërit e tu”. U shokova, ngela, nuk… shkova shumë mbrapa, te ajo letra pastaj dhe fillova duke menduar, por isha në ajër, nuk dija asgjë edhe…
Ardit Gjebrea: Nuk pyete prindërit?
Erion: Jo, fare.
Ardit Gjebrea: Fillove të kërkoje vetë për këtë gjë.
Erion: Po, por nuk arrija dot se më priteshin të gjitha rrugët. Mund të shkoja deri diku, por detyrohesha prapë mbrapsht.
Erioni shton se nuk e ka diskutuar kurrë këtë temë me prindërit birësues, por mendon se nëna e tij e ka kuptuar që ai di diçka.
“Je me 3 nëna”/Historia e rrallë e Erionit: Jam me fat!
Në vazhdimin e historisë që po ndan në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Erioni ndalet edhe te kujtimet që ka me familjen birësuese. Ai tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” se prindërit u ndanë kur ai ishte vetëm 3 vjeç dhe jetonte me nënën. Me familjarët dhe të afërmit e babait nuk kishte marrëdhënie të mira sepse gjithmonë e shihnin si djalin e adoptuar dhe s’e pranuan kurrë në mesin e tyre. Por ajo me të cilën befason Erioni është raporti me bashkëshorten e dytë të babait.
Erion: Njerëzit e babit nuk më kanë afruar ndonjëherë me dashuri. Mundoheshin përherë që ta demonstronin që unë nuk jam i atyre.
Ardit Gjebrea: Ndoshta nga fakti që ishe i adoptuar dhe…
Erion: Po, “ti nuk je i vëllait tonë dhe ne s’kemi pse të të mbajmë ty afër”. Ose edhe nëpër raste, nëpër evente që bënim me familjen, e bënin sa për sy e faqe por që kuptohen njerëzit kur janë falsë.
Ardit Gjebrea: Ju keni prona, se ndonjëherë edhe pronat bëhen shkak?
Erion: Prona kam, por janë munduar shumë që ta lënë babin tim pa prona që mos t’i trashëgoja unë.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë, mami u martua prapë?
Erion: Jo.
Ardit Gjebrea: Po babi?
Erion: Babi po.
Ardit Gjebrea: Si shkoje me nusen e babit?
Erion: Shumë mirë se unë kam qenë shumë i vogël, siç e thashë deri në ’87-ën kemi ndenjur në një oborr në shtëpi dhe kur s’sishte mami unë shkoja te babi dhe unë gjeja edhe një nënë tjetër në shtëpi kur hyja te babai.
Ardit Gjebrea: Pra nënë tjetër që ishte nusja e babit, nëna që ti mendoje që ishte nëna, por që të adoptoi dhe i bie që të kesh 3 nëna.
Erion: I bie që jam me fat!
Erioni rrëfeu se e ka mësuar që është i birësuar kur ishte adoleshent dhe zbuloi një letër. Në moshën 18-vjeçare, një shoqe i thotë se është i birësuar dhe ai nisi kërkimin për prindërit biologjikë pa u thënë asgjë atyre adoptues.
Situata mori një kthesë tjetër pas një telefonate të bashkëshortes së tij në “Aldo Morning Show”. Pas 44 vitesh, nëna e tij biologjike është gjetur, por nuk ka mundur të vijë në studio për shkak të gjendjes shëndetësore. Në vend të saj është vëllai, Misheli i cili po dëgjon gjithë historinë.
Veç rastësi? Dëgjon vëllain biologjik të thotë emrin e mbesës, Misheli shtanget!
“Rikbert” e mendoja si bashkim emrash, e kam tatuazh
Detajet e historisë së Erionit janë një dëshmi e thirrjes së gjakut. I birësuar 44 vite më parë, një e vërtetë që ai e mësoi në moshën 18-vjeçare dhe prej atij momenti ka qenë në kërkim të rrënjëve të tij.
Në “Ka Një Mesazh Për Ty” ai po rrëfen jetesën me prindërit birësues, momentin kur e zbuloi e gjithçka, ndërkohë që gjithçka po dëgjohet nga vëllai i tij, biologji, Misheli që ndodhet në anën tjetër të studios së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. As Misheli nuk e ka ditur për ekzistencën e Erionit, për të cilën ka mësuar vetëm pak ditë më parë dhe gjithçka iu konfirmua kur erdhi në program.
Misheli mëson gjithashtu se është xhaxha i tre mbesave dhe me njërën prej tyre e bashkon një rastësi.
Ardit Gjebrea: Ju sa fëmijë keni?
Erion: Unë kam 3 vajza.
Ardit Gjebrea: Si e ka emrin e madhja?
Erion: Irsin.
Ardit Gjebrea: Po e vogla?
Erion: E vogla është Anja.
Ardit Gjebrea: Dhe e mesit është Mishel.
Erioni ka edhe një histori me emrin që i ka vendosur nëna biologjike, Rikbert.
Erion: Shkoj te gjendja civile që marr certifikatën e babit dhe aty shoh nga Rikbert më është bërë Erion.
Ardit Gjebrea: Pra ti emrin e ke patur Rikbert dhe pastaj Erion.
Erion: Po.
Ardit Gjebrea: Të gjithë të thërrasin Erion.
Erion: Po se është ndryshuar shumë përpara.
Ardit Gjebrea: Çfarë ke menduar për këtë emër? Ka ndonjë kuptim?
Erion: Edhe kërkimet që bëja i bëja nga ky emër se mendoja mos është një bashkim emrash dhe thosha “Rikbert” ose mund të jetë Berta nëna dhe vazhdonim të kërkoja unë këto emra dhe më e forta, unë këta emra i kam bërë tatuazh. Kam inicialet e babit, mamit dhe inicialet e emrit.
Ardit Gjebrea: “R”.
Erion: “R” dhe “B”.
Ardit Gjebrea: Uau! Sepse ti mendon që janë Rikard dhe Berta.
Erion: Mendoja. Edhe mund të jetë, s’e dimë.
44 vite pritje, vëllezërit shihen dhe përqafohen për herë të parë!
Rrëfimi i historive në “Ka Një Mesazh Për Ty” ka përfunduar dhe është momenti që Misheli dhe Erioni, dy vëllezërit, të shohin njëri-tjetrin për herë të parë. Erioni është vëllai biologjik i Mishelit të cilin 44 vite më parë, për shkak të rrethanave, nëna e tyre u detyrua ta linte në maternitet.
Ekrani në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan shfaq imazhet e dy vëllezërve që deri më tani nuk kanë ditur asgjë rreth ekzistencës së tjetrit.
Ardit Gjebrea: Nëna jote jeton. Do të shkosh ta përqafosh. Ka kaluar një sëmundje shumë të rëndë. Është operuar. Është në shtëpi, e pamundur që të vinte. Ne sigurisht kur i çuam mesazhin nuk i treguam se për çfarë bëhej fjalë dhe ajo nuk u ngrit dot. Në momentin që ikën gazetarët tanë, ajo thërret Mishelin dhe i thotë “bir, eja këtu”. Për motive që ajo do të t’i thotë vetë, pasi ti linde, ajo të mbajti disa ditë, do të të tregojë historinë përse nuk mundi të të mbante dot, të puthi në ballë, të uroi jetë të gjatë dhe të la në maternitet.
Pas disa kohësh shkon kudo për të të kërkuar, donte që të ishte me ty dhe i thanë që ti nuk jeton më dhe ajo gjithë jetën ka jetuar me pengun që djali im nuk jeton më. Në momentin që gazetarët tanë shkuan dhe i thanë “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo thërriti Mishelin dhe i tha “ky është djali im, djali im nuk ka vdekur, jeton, prandaj unë nuk shkoj dot por do të shkosh ti sepse unë nuk mund ta braktis dy herë djalin tim”. Dhe ja ku jeni sot të dy. Vetëm para disa ditësh, Misheli ka mësuar që ka një vëlla dhe janë lumturuar pafund.
Mes shumë emocionesh, bashkëshortja e Erionit, Evisi tregon se ai është ndier gjithnjë vetëm sepse nuk kishte motër apo vëlla. Misheli shton se ka provuar të njëjtën ndjesi dhe gjithnjë i ka kërkuar nënës së tij një motër apo vëlla. Më në fund, dëshira e të dyve është realizuar sepse dy vëllezërit kanë gjetur njëri-tjetrin, pas 44 vitesh!
/tvklan.al