#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Trupi m’u mbush me pulla të zeza”/U diagnostikua me leucemi në moshën 7-vjeçare: Mjekët më dhanë 2 javë jetë

Me shumë emocione dhe një buzëqeshje që i ndriçon gjithë fytyrën, pas së cilës qëndron një histori aspak e lehtë. Desi, protagonistja e “Ka Një Mesazh Për Ty” vjen posaçërisht nga Italia për të ndarë rrëfimin e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Historia nis kur ajo ishte 7 vjeçe dhe diçka në rritjen e saj çalonte, por u desh një zile alarmi që të kërkohej ndihma e mjekëve.


Desi: Mamaja në moshën 7 vjeçe e gjysmë kuptoi që tek unë nuk shkon diçka sepse moshataret e mia rriteshin, kishin ndryshimet e trupit të tyre ndërsa tek unë dilnin vetëm pulla të zeza por nuk më dhimbnin. Një ditë ajo dyshoi shumë sepse më bleu një palë këpucë të reja dhe mua më dukeshin shumë të rënda, nuk i ngrija dot. Pastaj shkuam në Tiranë, bëmë analizat dhe aty na shtruan direkt, por nuk na thanë arsyen përse.

Babai i Desit ishte emigrant në Itali dhe ishte larguar kur vajza ishte 4 vjeçe. Në krah të familjes gjendeshin të afërmit, ndërsa vëllezërit qëndronin në Kavajë. Desi dhe nëna e saj ndenjën 6 muaj në spital.

Desi: Një ditë erdhi një infermiere dhe dëgjova që tha “vajza ka leucemi”. Nuk shërohej në Shqipëri jo, as në Greqi, as në Turqi, vetëm në Gjermani dhe në Itali.

Ardit Gjebrea: Babi e mori vesh?

Desi: Babi e mori vesh.

Ardit Gjebrea: Erdhi?

Desi: Kurrë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me ty më aps?

Desi: Më pas, mami se është shumë besimtare bektashiane, shkoi te Kryegjyshata këtu në Tiranë dhe u fal. Të nesërmen, nuk e di, ishte si mrekulli, vjen një doktoreshë italiane me një fondacion me një grua shqiptare që mund të përkthente. Ato në fakt nuk kishin ardhur për ne, por për një vajzë tjetër, për një person tjetër që e kishin parë në televizor por atë e kishin çuar në shtëpi se ishte bërë më mirë dhe mund të shërohej këtu në Shqipëri. Pastaj aty filluam të bisedonim me të, na dha shansin që mund të shkonim në Itali. Atje ishte çdo gjë ndryshe…  më bukur dhe ato na ndihmuan jashtë mase. Kur bëmë analizat e para atje, më jepnin vetëm dy javë kohë.

Kujtimi i dhimbshëm: Luftoja për jetën në spital kur dëgjova babain që tha “lëre të vdesë”

Shenja të zeza në trup dhe dobësi e theksuar ishin shenjat që e drejtuan Desin në spital më se 20 vite më parë. Vajza që rrëfen historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishte vetëm 7 vjeçe kur mjekët i dhanë vetëm dy javë jetë. Trajtimi i saj vijoi në Itali, me transplante të shumta të palcës kurrizore që fatmirësisht sot kanë dhënë rezultatin e saj.

Por kur kujton ato kohë, Desi ka të ngulitur në mendje të atin që ishte emigrant në Itali. Ai nuk e vizitoi asnjëherë të bijën në spital në Shqipëri, por ajo e mban mirë ditën e parë kur e pa. Babai ishte larguar kur Desi ishte 4 vjeçe dhe ajo ishte rritur me rrëfimet e nënës për të. Gjithçka ishte ndërtuar në mendjen e saj u thye kur i ati ishte gati ta braktiste në spital.


Desi: Babi kur shkuam në Trieste, erdhi pak më mbrapa…

Ardit Gjebrea: E njohe?

Desi: Jo. Nuk e njoha se unë e kisha vetëm në fotografi babin dhe thashë mami, ky është babi im? Aty, pas kësaj fraze, u nxeh pak me mamin.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Desi: I thotë “pse nuk më njeh mua goca”, ndërsa unë isha rritur vetëm me fjalë të bukura nga mami për babin, mami na thoshte çdo herë “babi punon për ju” ndërsa ai nuk sillte asgjë, ne dëgjoheshim vetëm një herë në vit në telefon dhe me sa kujtoj unë, nuk kanë qenë fjalë të bukura. Pastaj atë ditë kur erdhi në Trieste m’u duk pak e çuditshme se nuk e imagjinoja të ishte në atë mënyrë.

Ardit Gjebrea: Ti kishe figurën e një babai tjetër dhe u përballe me një baba tjetër.

Desi: Me një realitet tjetër.

Ardit Gjebrea: Ai kur të pa ty, u përmallua, çfarë tha kur të pa?

Desi: Në fillim i tha mamit “pse kjo është goca ime?” Unë u ndieva pak kështu sepse unë isha pa flokë, me kortizon, shumë e fryrë, plus kisha edhe temperaturë atë natë dhe…kur… mami po fliste me babin ai i tha që “unë e di që ajo nuk bëhet sepse unë kam folur me mjekët në Milano”, por ai nuk kishte folur me asnjë. Por unë i dëgjoja të gjitha isha aty dhe këto fjalë më rrinë këtu.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë “nuk bëhet”, në çfarë kuptimi?

Desi:Nuk ka jetë kështu që lëre të vdesë këtu”.

Megjithatë, nëna e Desit nuk hoqi dorë dhe vendosën që me përmirësimin e vajzës, të shkonin në Milano. Familja nuk qe dhe aq e lumtur, çifti grindej vazhdimisht dhe Desi i shihte të gjitha. Ajo kujton vetëm dy momente lumturie me të atin, ditën kur ai e mori nga shkolla dhe mëngjesin kur Desi gatoi për të gjithë familjen. Më pas, shiriti i kujtimeve të lumtura me të atin, këputet.

“Mamin e shihja me shenja në trup”/ E burgosur nga frika e së shkuarës: Im atë bëri që mos t’u besoj  meshkujve

Për vite të tëra nëna e Desit u përpoq të kishte një familje të bashkuar. Fillimisht, fëmijët rriteshin larg babait të tyre që ndodhej në emigrim e Desi ishte vetëm 4 vjeçe kur ai qe larguar. Më pas, shkas u bë sëmundja e saj që të shpërnguleshin në Itali për t’u mjekuar.

Desi kujtoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan si dergjej në shtratin e spitalit nga leucemia dhe imazhi i të atit thyhej pak nga pak. Fjalët e tij “lëre të vdesë këtu” ajo i mban mend sot e kësaj dite, të ngulitura fort në kujtesë.

Gjithsesi, më në fund familja u bë bashkë. Desi nuk kujtonte ndonjë ditë të lumtur pasi zënkave nuk u gjendej fundi. Për më tepër nisi dhuna derisa erdhi momenti i divorcit që për çudi, e kërkoi i ati i saj.


Desi: Babi ishte shumë i dhunshëm. Ndonjëherë e shihja që kishte… shenja të zeza në trup por ajo bënte sikur s’kishte gjë dhe shkonte në punë.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk ndahej?

Desi: Se donte të mbante familjen të bashkuar. Erdhi vëllai pastaj dhe sikur dhuna pushoi pak, por fatkeqësisht kohë më tutje, filloi prapë. Herën e fundit se tani prindërit janë divorcuar dhe hera e fundit kur u zunë shumë, mami shkoi në spital 6 ditë.

Ardit Gjebrea: Si e mori mami vendimin që të ndahej nga babi?

Desi: Nuk e mori mami vendimin se pasi mami qe shtruar në spital, u rikthye në shtëpi, ia fali babit, ishim bashkë për shkak që të mbante familjen përherë bashkë.

Ardit Gjebrea: E gjithë kjo sakrificë për një familje që nuk u bashkua kurrë. 

Desi: Kurrë. Pastaj kur edhëm këtu në Shqipëri, ai kërkoi divorcin. Ne s’dinim gjë, vetëm kur vëllai i dytë merr në telefon mamin dhe ia thotë. Mami normale  nuk u ndie mirë dhe pastaj nga aty u rikthyem në Itali. Babi pastaj nga Italia iku, shyqyr Zotit dhe u rikthye në Shqipëri. Këtu pastaj ka krijuar familje tjetër.

Prej vitit 2010 nga divorci i prindërve, Desi  nuk ka më asnjë lidhje me të atin. Ajo dhe gjithë pjesa tjetër e familjes jetojnë në Itali. E ëma nuk e ka rigjetur dashurinë, ndërsa Desi struket nga frika se meshkujt janë si i ati.

Ardit Gjebrea: Mami pati ndonjë lidhje tjetër?

Desi: Jo, absolutisht, mami jo.

Ardit Gjebrea: Po ti?

Desi: Jo.

Ardit Gjebrea: Po pse jo?

Desi: Se ndikon pak kjo gjë.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim?

Desi: Te babi… ngaqë kam parë mamin si e ka kaluar…

Ardit Gjebrea: Ke frikë?

Desi: Shumë.

Ardit Gjebrea: Nuk ke besim te meshkujt?

Desi: Jo.

Ardit Gjebrea: Ngaqë ke shembullin e babit.

Desi: Po se realisht nuk është sjellë mirë se mund të thuash ndoshta ndodh që edhe ka familje kështu të dhunshme, por nuk është një familje e shëndetshme.

Ardit Gjebrea: Nuk të është ofruar asnjë italian atje, asnjë shqiptar?

Desi: Ka ndodhur, por…

Ardit Gjebrea: Ti i ke larguar.

Desi: Bllok. Nuk shkoj dot tutje.

/tvklan.al