Fitorja e ekstremit të djathtë të Marie Le Pen ishte më shumë se një surprizë, duke i shkaktuar një disfatë të thellë partisë “Rilindja” të presidentit francez Emmanuel Macron.
Tubimi Kombëtar fitoi 31.5% të votave, ndërsa Partia Rilindja me 14.5% të votave. Le Pen përshëndeti thirrjen e kreut të Elizesë për zgjedhje të reja parlamentare .
“Francezët kanë folur dhe ky leksion historik tregon se kur populli voton , populli fiton. Ne jemi të gatshëm të ushtrojmë pushtetin nëse francezët na besojnë gjatë këtyre eleksioneve legjislative të ardhshme. Ne jemi gati të rindërtojmë vendin, të gatshëm të mbrojmë interesat e francezëve, të gatshëm për t’i dhënë fund emigracionit masiv, të gatshëm për të bërë përparësi fuqinë blerëse të francezëve.”
Le Pen në krye të Partisë Tubimi Kombëtar zgjodhi një figurë të re, Jordan Bardella. Falë mbështetjes së Marine Le Pen, Bardella mori 84% të votave, një shumicë e madhe, kundër kandidatit tjetër Louis Aliot, kryebashkiak i Perpignan në jug të Francës dhe ish-partner i vetë Marine Le Pen.
“Emmanuel Macron është një president i dobësuar. Ne i kërkojmë atij që të marrë parasysh këtë konfigurim të ri politik. Dëshira jonë është të bashkojmë të gjithë francezët, për ta rikthyer kombin në këmbë dhe për të lejuar që Franca të rikthejë shpresën.”
I lindur në periferi të Parisit, në Drancy, në fjalimin e tij Bardella falënderoi Francën që mirëpriti familjen e tij me origjinë italiane. Shpërndarja e roleve me Marine Le Pen, e cila e zgjodhi, e promovoi dhe e ndihmoi, është e qartë: Bardella ka udhëheqjen e partisë, ajo ka kontrollin e 89 deputetëve në Asamblenë Kombëtare. Një risi e madhe në historinë e Tubimit Kombëtar dhe roli i saj si një kandidate e mundshme e ardhshme për Pallatin Elysée.
Disa kritikë në Francë e kanë cilësuar Jordan Bardella si një “parlamentar fantazmë” pasi shpesh nuk është paraqitur në dhomën evropiane gjatë pesë viteve të fundit ndërsa disa të tjerë si një personalitet që nuk ka asnjë interes serioz për Evropën.
Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 30 qershor dhe 7 korrik. Për shumë analistë thirrja e zgjedhjeve të parakohshme është një surprizë për vendin dhe një rrezik i madh për presidentin Macron.
Klan News