Giorgia Meloni ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë dhe do të bëhet liderja e parë e ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.
Partia e saj Vëllezërit e Italisë ka fituar 26% të votave, që do të thotë se ajo është në rrugën e duhur për t’u bërë liderja e parë femër në Itali. Duke folur për gazetarët pas votimit, ajo premtoi italianëve dhe tha se nuk do ta tradhtonte besimin e tyre. Ajo e ka zbutur imazhin e saj që lidhet me të kaluarën fashiste të Italisë, por ajo ende përqafon një slogan të vjetër të adoptuar nga fashistët – “Zoti, atdheu dhe familja”.
Partia e Melonit, do të marrë gjithashtu pjesën më të madhe të votave brenda koalicionit, i cili përfshin Ligën e ekstremit të djathtë, të udhëhequr nga Matteo Salvini dhe Forza Italia, të kryesuar nga Silvio Berlusconi . Do të jetë presidenti i cili do të vendosë nëse do të mandatojë fitoren e të djathtës ekstreme.
Meloni tha se votuesit italianë i kishin dhënë një mandat të qartë të drejtës për të formuar qeverinë e ardhshme dhe bëri thirrje për unitet për të ndihmuar në përballimin e problemeve të shumta të vendit.
“Nëse na thirren për të qeverisur këtë komb, ne do ta bëjmë këtë për të gjithë italianët, me synimin për të bashkuar njerëzit, për të lartësuar atë që i bashkon ata në vend të asaj që i ndan. Është koha për të qenë përgjegjës. Për ata që me gjithë vështirësitë dhe momentet më komplekse kanë qëndruar të palëkundur, me bindje dhe bujari. Por, mbi të gjitha, u dedikohet atyre që besojnë dhe kanë besuar gjithmonë tek ne. Ne nuk do ta tradhtojmë besimin tuaj. Ne jemi gati të ngremë Italinë lart”, është shprehur Giorgia Meloni.
Italia është një themeluese e Bashkimit Evropian dhe një anëtare e NATO-s, dhe retorika e zonjës Meloni për BE-në e vendos atë pranë liderit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban. Aleatët e saj të dy kanë pasur lidhje të ngushta me Rusinë. Meloni dëshiron të rishikojë reformat italiane të rënë dakord me BE-në në këmbim të pothuajse 200 miliardë Euro në grante dhe kredi për rimëkëmbjen pas Covid-it, duke argumentuar se kriza e energjisë ka ndryshuar situatën.
Katarina Barley, zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian e cilësoi shqetësuese fitoren e aleancës së djathtë dhe rrezik për bashkëpunimin konstruktiv në Europë. Ndryshe nga aleatët e saj të krahut të djathtë, Meloni pro NATO-s dhe pro-Ukrainës.
Fitorja e koalicionit të qendrës së djathtë në Itali ka marrë mbështetjen e partive konservatore atyre të ekstremit të djathtë në Evropë. Pas Victor Orban, edhe drejtuesja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen ka uruar Giorgia Melonin dhe koalicionin e qendrës së djathtë për fitoren e zgjedhjeve në Itali.
Ndërkaq Partia Demokratike e qendrës së majtë të Enrico Letta-s ka dalë e dyta, pas Vëllezërit të Italisë të ekstremit të djathtë. Letta, 56 vjeç, ishte kryeministër për 10 muaj në 2013-14 dhe nuk është i huaj për politikën e ashpër të Italisë. Ai udhëhoqi një koalicion me Forza Italia të Silvio Berlusconit dhe u rrëzua përfundimisht nga rivali i tij, Matteo Renzi. Synimi kryesor i liderit të qendrës së majtë duket se është penguar: të ndalojë marrjen e pushtetit nga e djathta e fortë në Itali. Partia e tij dëshiron të luftojë diskriminimin anti-LGBT dhe të legalizojë martesat e homoseksualëve. Zgjedhjet e parakohshme në Itali u nxitën pasi mosmarrëveshjet e brendshme rrëzuan në Korrik Qeverinë e Unitetit Kombëtar të ish-kryeministrit, Mario Draghi.
Klan News