Partia Socialiste vijon të jetë e mjegullt dhe e paqëndrueshme në politikën e saj.
Kryetari, Edi Rama, në mesditë deklaroi se kjo forcë politike do të qëndrojë në Kuvend për të kërkuar transparencën e plotë të zgjedhjeve.
Edi Rama: “Parlamenti do të jetë për ne vendi ku do të vazhdojmë të kërkojmë me durim e këmbëngulje të drejtën e transparencës dhe vetëm atë e asgjë tjetër. Sepse pa transparencën të gjitha liritë e të drejtat janë të mbyllura në kutinë e errët të keqqeverisjes ndërsa ligjet e shkruara janë ligje të pazbatuara.”
Por pak orë pas kësaj deklarate, socialistët i surprizuan të gjithë. Ata qëndruan vetëm pak minuta në seancën e radhës në Kuvend dhe u larguan prej saj menjëherë pas një fjale të shkurtër të deputetit Namik Dokle, i cili ripërsëriti kërkesën për transparencë të zgjedhjeve.
Namik Dokle: “Ne refuzojmë kategorikisht komisionin e njëanshëm dhe të pa dobishëm dhe për më tepër të grabitur këtu në Parlament nga votat e mandateve të vjedhura në të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë. Ne refuzojmë çdo shpikje tjetër as me 100 dhe as me 1 mijë prokurorë.”
U duk, se në drekë, Rama u dorëzua përballë presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtareve që kërkojnë zhvillimin e debatit politik në Kuvend, por me rënien e muzgut socialistët iu larguan rrugës së dialogut politik të Kuvendit, duke marrë papritur kthesën për në spiralen e bojkotit./tvklan.al