Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën. Një burrë 71-vjeç ka dalë para trupës gjykuese në Francë, pasi akuzohet se për më shumë se një dekadë ka droguar dhe përdhunuar gruan e tij.
I pandehuri, i quajtur Dominique P, akuzohet se ka rekrutuar dhjetëra burra të tjerë për të përdhunuar gruan e tij, akt të cilin më pas e filmonte.
Viktima e këtij abuzimi të rëndë seksual mësoi për abuzimin në vitin 2020 pasi u informua nga policia. Dominique P u hetua nga policia pas një incidenti të ndodhur në Shtator të vitin 2020, kur u kap nga një roje siguri duke filmuar me telefon poshtë fundeve të tre grave.
Policia më pas gjeti qindra foto dhe video të gruas së tij në kompjuterin e 71-vjeçarit. Sipas informacioneve të siguruara nga mediat e huaja abuzimi dyshohet të ketë nisur që në vitin 2011. Hetuesit gjetën gjithashtu biseda në një faqe interneti në të cilën Dominique P dyshohet se rekrutonte të huaj në shtëpinë e tij për të përdhunuar gruan.
Prokurorët bëjnë të ditur se përdhunuesit e akuzuar i përkasin moshave nga 26 deri në 74 vjeç. Pamjet filmime kanë treguar se shumica e tyre morën pjesë në abuzim vetëm një herë, kurse disa të tjerë morën pjesë deri në gjashtë herë.
71-vjeçari është akuzuar gjithashtu për një vrasje dhe përdhunim të vitit 1991, të cilën ai e mohon, dhe një tentativë përdhunimi në vitin 1999, të cilën ai e pranoi pas testit të ADN-së.
Gjyqi, i cili po mbahet në Parc des Expositions në Avignon, Franca jugore, do të zgjasë deri më 20 Dhjetor. Ndërkaq policia ka identifikuar të paktën 92 përdhunime të kryera nga 72 burra. Pesëdhjetë prej të cilëve u akuzuan dhe po dalin në gjyq përkrah 71-vjeçarit./tvklan.al