Programi i ri i Partisë Socialiste është prezantuar nga kryetari i saj Edi Rama edhe në komunën Buçimas të Pogradecit. Duke u fokusuar tek strategjia e socialistëve për ta shndërruar fshatin në promotor të zhvillimit të biznesit agrar, Rama tha se qeveria e pas 28 qershorit do të orientojë investimet e emigrantëve kryesisht në sektorin e bujqësisë.
Edi Rama: “ Duke krijuar kushtet e zhvillimit të biznesit agrar që do t’i kthejmë kursimet që vijën nga emigracioni thjesht për të mbajtur frymën gjallë, në kursime që vijnë për investime në ekonominë e re të familjes në fshat.”
Më pas në takimin me banorë të fshatit Hoçisht, lideri i opozitës u shpreh se platforma e socialistëve për zhvillimin e fshatit nuk është thjesht një premtim por një objektiv që Partia socialiste dhe aleatët e saj do ta përmbushin në mandatin e parë katërvjeçar.
Edi Rama: “ Të gjitha këto që pi ju them miqtë e mi nuk janë premtime, po janë objektiva që ne i kemi në programin tonë dhe që i ndjejmë si objektiva të përbashkët se dhe ky program është shkruar bashkë me ju, ky program është shkruar duke filluar nga ju.”
Rama ftoi të pranishmit të bëhen pjesë e ndryshimit të madh pasi sipas tij, bashkimi përtej ngjyrave politike do tu sigurojë shqiptarëve një të ardhme më të mirë.
Edi Rama: “Sot Shqipëria është e varfër, sot Shqipëria është e papunë, por nuk mund ta pranojmë kurrë që Shqipëria e fëmijëve tanë të mbetet po kjo dhe për këtë arsye na duhet ky bashkim i ri, për këtë arsye na duhet fitorja e 28u qershorit, për këtë arsye na duhet kjo politikë e re ndryshimi./tvklan.al