Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar turin e tij elektoral derë më derë në njësinë numër 6 në Kombinat, në Kashar e më pas në zonën e quajtur Kanali i Misto Mames. Gjatë vizitave të tij kryesocialisti ka shpërndarë personalisht planin e kësaj force politike.
Me pas kreu i selisë rozë ka siguruar banorët se plani me 7 pika i Partisë Socialiste do të zgjidhë përfundimisht çështjen e legalizimeve të cilën sipas Ramës kryeministri Berisha nuk e realizoi.
Qytetari: “A thu do legalizohen, se s’po na bon no nji gjo?”
Edi Rama: “Kush të bëj gjë?”
Qytetari: “Qeveria që do vijë.”
Edi Rama: “Qeveria që do vijë nuk mund të bëjë gjë pa ardhur, qeveria që të ka thënë do të legalizoj brenda një viti, pas 4 vjetësh të thotë me jep mandatin se do të legalizoj pas një viti. Ai burri thotë ça do ti, legalizim? Ta bëj unë, merr votën dhe nuk ta bën, se kishte mundësi ta bëj pse nuk e bëri, 4 vjet s’kishte kohë se kishte hallin e punëve të veta, kjo është punë tjetër. Por që premtimi ishte për një vit do t’i realizoj të gjitha, pas 4 vjetësh nuk ju ka legalizuar. Ja la në dorë Shabanit fatin tuaj se vetë u morë me fatin e shpish së vet. Kurse unë ju them që do t’ju legalizojmë dhe jo vetëm do t’ju legalizojmë, por do ti përmirësojmë të gjitha kushtet e jetesës, infrastrukturës dhe të gjitha dhe nuk do ja lejmë më Shabanit radhës, por do ta drejtoj unë këtë punë vetë.”
Gjatë bashkëbisedimit me banorët Rama i ka siguruar ata se nën qeverisjen e të majtëve infrastruktura rrugore do të jetë nën parametrat optimal sipas standardeve europiane.
Edi Rama: “Këtu është njësoj siç ishte Tirana në vitin 2000 dhe për fat të keq gjithë këto vite kjo është Tiranë kur votoni dhe Kashar për administrimin. Pas 28 qershori do ju përfshijmë brenda Tiranës, më 28 qershor do i ndryshojmë të gjitha. Kështu kanë qenë rrugët e Tiranës në vitin 2000, pas 4 vjetësh këto do jenë siç janë rrugët e Tiranës tani.”
Gjatë vizitës së tij në zonën e kanalit të Misto Mames numri një i socialistëve premtoi rikonstruktim të plotë të zonës.
Edi Rama: “U bë legjendë ku kanal.”/tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani